Instalacioni “Edhe muret kanë veshë”, ndërgjegjësim për krimet e diktaturës

9 Maj, 2018 - 10:11 am

Në muret e kalasë së qytetit të Gjirokastrës njëkohësisht e shfaqur edhe në disa qytete kryesore si Tiranë, Shkodër, Berat, Korçë, Tepelenë do të krijohet platforma e komunikimit “Edhe muret kanë veshë”, projekt i cili synon të sjellë në vëmendje disa nga frazat më të përzgjedhura të ish-të përndjekurve të sistemit komunist.

Instalacioni do të qëndrojë i hapur për publikun vendas nga ora 20:00 deri në orët e para të mëngjesit dhe do të shtrihet në qytete të tjera të Shqipërisë.

Muret e kalasë gjatë orëve të natës do të mbushen me thënie të veçanta të personave të cilët kanë përjetuar vuajtje të tmerrshme gjatë regjimit komunist.

Gjatë një interviste për Agjencinë Telegrafike Shqiptare (ATSH), Prefekti i Gjirokastrës Astrit Aliaj bënë të ditura detajet e shfaqjes së këtij instalacioni, duke theksuar se ky aktivitet synon të rrisë ndërgjegjësimin mbi krimet e së shkuarës.

“Platforma e komunikimit “Edhe muret kanë veshë” synon të rrisë ndërgjegjësimin mbi krimet e së shkuarës komuniste e të inkurajojë dialog me universitetet, akademikët, komunitetet lokale, të mbijetuarit e krimeve të diktaturës komuniste, mediat dhe publikun e gjerë. Fushata kulmon me një instilacion artistik dhe vijon me përmbledhjen të historive personale të të mbijetuarve të krimeve të diktaturës ose të familjeve të tyre. Po ashtu, pasqyrimi i këtyre dëshmive do të bëhet edhe në një faqe interneti me të njëjtin emër; dëshmitë gojore do të filmohen në dokumentar, në mënyrë që njerëzit ta ndjekin rrugëtimin e këtij produkti artistik, t’i shohin fytyrat dhe t’i dëgjojnë historitë e shqiptarëve që qëndruan me dinjitet. Këto histori krijojnë një data bazë të rrëfimeve gojore që do të pasurohet në vijim dhe i shtohen arkivit të Autoritetit”, – tha prefekti i Gjirokastrës.

I pyetur për shkëputjen e frazave apo thënieve të përdorura në këtë platformë komunikimi si dhe për krijimin e tyre, prefekti Aliaj shprehet se “instalacioni, i realizuar nga artistja Alketa Xhafa-Mripa, është një krijim shumëdimensional i kujtesës kolektive për ata që u dënuan, humbën lirinë apo jetën në burgjet dhe kampet e diktaturës komuniste. Frazat apo thëniet që përshkruajnë tragjedinë njerëzore të shkaktuar nga krimet e komunizmit janë shkëputur nga dorëshkrime, dokumentime, apo arkiva personale të individëve të burgosur apo internuar dhe janë përzgjedhur nga dëshmitë gojore të të mbijetuarve. Me to, Mripa ka krijuar një narrativë të zgjeruar, ku frazat lidhen me njëra-tjetrën, duke shfaqur aspekte të ndryshme të totalitarizmit. Shprehjet, dikur të ndaluara, do të projektohen në formate të mëdha, në të njëjtën datë (8 maj 2018) dhe në të njëjtën kohë (ora 20.00) në fasadat kryesore të qyteteve, deri në agimin e Ditës së Evropës, duke riafirmuar vlerat europiane, që ishin dhe vizioni i rrënimtarëve.

Instalacioni “Edhe muret kane veshë”, është një projekt i financuar nga Zyra e PNUD-it, ambasada italiane si dhe me ndihmën e Autoritetit për Informim mbi Dosjet e ish-Sigurimit të Shtetit. Në të njejtën kohë, ky instalacion shfaqet edhe në pesë qytete të tjera, si në Tiranë, Shkodër, Korçë, Berat dhe Tepelenë. Aktiviteti është organizuar në kuadër të ditës së Europës.

Programi ambicioz “Përkujtojmë, për të shëruar dhe parandaluar” përmbledh dy ndërhyrje kryesore: konceptualizimin, historinë dhe praktikat e punës së detyruar gjatë regjimit komunist përmes një qasjeje historiko–juridike ndaj institucionalizimit të punës së detyruar. Kjo do të kontribuojë në konceptimin e vendeve të kujtesës si Kampi i Tepelenës dhe fushatën e komunikimit “Edhe muret kanë veshë”, zbatuar nga Autoriteti për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit me mbështetjen e PNUD Shqipëri dhe Qeverisë së Italisë. Fushata është shtrirë në mbarë vendin, duke mbledhur dëshmi të të mbijetuarve të dënuar gjatë periudhës komuniste dhe dëshmi të solidaritetit që qytetarët e Tepelenës treguan ndaj viktimave./ KultPlus.com

Të ngjajshme