Instalacioni i artistit shqiptar Sislej Xhafa, në Majorka të Spanjës

23 Gusht, 2023 - 1:17 pm

“Blue blossom” një vepër e re nga artisti i vlerësuar ndërkombëtarisht, Sislej Xhafa, u shfaq në “La Residenca – A Belmond Hotel” në Spanjë. Eventi artistik vjen si rezultat i rezidencës së tij artistike në Mallorca, program i Galerisë “Continua”.

Sislej kësaj here ka vendosur në vend të një ekrani, poshtë logos së ATM-ve, një fole zogjsh, duke krijuar me mjetet e tij, një ekuilibër midis natyrës dhe kulturës popullore, ekuilibër i cili bëhet thellësisht i dukshëm si një fole familjare, që përfaqëson sigurinë, kujdesin dhe vlerën.

Për më tepër, instalacioni eksploron migrimin e zogjve si një simbol i lirisë, aventurës dhe dëshirës për të kërkuar përvoja të reja.

Qëllimi i artistit është të krijojë një vepër që ngre pyetje dhe inkurajon mendimin kritik për çështje si ndryshimi i klimës dhe ndikimi njerëzor në mjedis.

Sislej Xhafa lindi në Pejë, në 1970-ën. Aktualisht jeton dhe punon në Nju Jork. Ai ka prezantuar punimet e tij në ekspozita të shumta në vende të ndryshme të botës, si: Kaliforni, Itali, Gjermani, Izrael, Kanada, Slloveni, Kubë, Turqi e shumë të tjera. Për punën e tij artistike ai është shpërblyer me çmime të shumta mes të  cilëve edhe  “Onufri” në Tiranë. Më herët, Xhafa ka përfaqësuar Kosovën në Bienalen e Venecias, si dhe ka marrë pjesë në Manifesta 14, ekspozita e lëvizshme e cila u zhvillua në Prishtinë 1 vit më parë.

Xhafa njihet për hulumtimin e tij artistik në realitetet sociale, ekonomike dhe politike të lidhura me kompleksitetet e ndryshme të shoqërisë moderne. Duke praktikuar në mënyrë indiferente një gamë të gjerë mediesh, nga skulptura te vizatimi, nga performanca te fotografia, Xhafa po vazhdon parreshtur të prezantojë plot dinjitet artin kosovar nëpër botë./ atsh / KultPlus.com

Të ngjajshme