13 Shkurt, 2020 - 8:59 pm
Sot në Galerinë Kombëtare të Kosovës u promovua katalogu IRWIN-Shteti në kohë, ku artisti slloven Miran Mohar bashkëbisedoi me të pranishmit rreth strukturës së katalogut, historisë së tij dhe ekspozitës IRWIN e cila është mbajtur në shtatorin e vitit të kaluar në Galerinë Kombëtare të Kosovës, shkruan KultPlus.
Debatin e hapi drejtoresha e Galerisë Kombëtare, Arta Agani, e cila shprehi falenderimet e saj për prezencën e të pranishmëve në sallë, duke uruar Mohar-in për ardhjen e tij dhe duke vlerësuar shumë lart punën që IRWIN ka bërë.
”Do e quaja libër dhe jo katalog pasiqë përmban tekste shumë kualitative, shpresoj që të gjithë do të ndaheni të kënaqur me këtë libër. Ne kemi qenë shumë të nderuar që ekspozita e tyre ka qenë pjesë e Galerisë Kombëtare dhe ishte një ndër ekspozitat më të vizituara në Galerinë tonë”, u shpreh Agani
Projekti ”Shteti në kohë”, daton qysh nga fillimi i viteve të 90′.
”Në saje të rrethanave të veçanta në fillim të viteve të 90′, ishte e mundur për ne që të prodhojmë pasaportat e NSK Shteti në Kohë, në bashkëpunim me Ministrinë Sllovene të Punëve të Brendshme. Si rezultat, pasaporta NSK nuk dallojnë nga standardet e zakonshme për produkte të tilla në lidhje me mënyrën dhe cilësinë e prodhimit. Deri tani, disa mijëra persona kanë aplikuar dhe morën pasaportat tona dhe në këtë mënyrë u bën qytetarët e NSK Shteti në Kohë, duke e mbajtur shtetësinë e tyre të mëparshme”, tregoi Mohar.
Ky projekt fokusohet më shumë në shtetet me zhvillim të ulët, ku levizja e lirë është më e vështirë dhe e pamundësojnë faktorë të ndryshëm.
Vend i tillë është edhe Kosova, të cilën këta artistë e kanë parë të arsyeshme të shpalosin projektin e tyre. Mohar tregoi se ka pothuajse që 17 vite që e viziton Kosovën dhe duket se mendësinë e Kosovës e njihte mjaft mirë.
Ai poashtu tregoi se ishte i ndarë mjaft i kënaqur me rezultatet që kishte dhënë ekspozita e shtatorit të vitit të kaluar. Ekspozitë kjo që prezantonte një shtet më ndryshe, një shtet që nuk është i vendosur në një hapësirë kohore.
Pjesë e këtij katallogu ishin edhe shkrimet e Eda Čufer, Mladen Dolar, Boris Groys, IRWIN, Jonah ëesterman dhe Slavoj Žižek.
”Retro avangarda është veprimi themelor artistik i Neue Slowenische Kunst dhe është e bazuar në kushte ku traumat e së kaluarës ndikojnë në të tashmen dhe se e ardhmja mund të shërohet vetëm duke kthyer konfilktet fillestare. Arti bashkëkohor ende nuk e ka tejkaluar konfliktin që është shkaktuar nga asimilimi i shpejt dhe efikas i lëvizjeve historike avangarde në sistemet e shteteve totalitare.”, shprehej Eda Cufer. / KultPlus.com