Isa Boletini në dokumentet arkivore dhe shtypin gjermanofon

25 Nëntor, 2022 - 3:30 pm

Në qytetin e Vlorës është hapur ekspozita “Isa Boletini në dokumentet arkivore dhe shtypin gjermanofon”. Kjo ekspozitë vjen në kuadër të festimeve me rastin e 110-vjetorit të shpalljes së Pavarësisë.

Agjencia Shtetërore e Arkivave e Kosovës bashkëpunoi me bashkinë e Vlorës, për çeljen e kësaj ekspozite në Galerinë e Arteve Vlorë.

Fjalën e hapjes e mbajti drejtori ekzekutiv i Agjencisë Shtetërore të Arkivave të Kosovës, Bedri Zyberaj, kryetari i Bashkisë së Vlorës  Dritan Leli dhe drejtori i Galerisë së Arteve në Vlorë, Skënder Spahiu.

Të pranishëm në ekspozitë ishin edhe Roland Zisi, rektor i Universitetit “Ismail Qemali”, pedagogë, studentë të këtij universiteti, grupi polifonik i Mallakastrës dhe qytetarë të Vlorës.

“Për Isa Boletinin, një nga njerëzit që bashkë me Ismail Qemalin sollën lirinë, Bedri Zyberaj ekspozoi sot në Vlorë dokumentet arkivore që ruheshin në Vjenë, për të na njohur me ca pjesë të historisë që nuk i dinim e që na kanë dhënë gëzimin e lirisë, sot e 110 vjet”, është shprehur kryebashkiaku i Vlorës.

Materialet e ekspozitës “Isa Boletini në dokumentet arkivore dhe shtypin gjermanofon”, e përgatitur nga AShAK, mbulojnë harkun kohor të ngjarjeve që fillojnë me vitin 1905 dhe përfundojnë më 1916.

Materialet e përzgjedhura janë me prejardhje arkivore dhe prej medieve të shkruara. Në ekspozitë paraqiten dokumente, raporte dhe artikuj të ndryshëm të gazetave të kohës, të cilat ruheshin në Arkivin e Vjenës dhe të Bonit, e të cilat Agjencia Shtetërore e Arkivave e Kosovës, tashme i ka në thesarin e vet, pasi i ka siguruar në sajë të bashkëpunimit të ngushtë që ka me dy arkivat e lartpërmendura. /atsh / KultPlus.com

Të ngjajshme