Ishte e para artiste që pas luftës hapi dyert e Fakultetit të Arteve, Arbana Hajredinaj rrëfen dashurinë për artin

30 Janar, 2019 - 3:03 pm

Alberina Haxhijaj

Artistja Arbana Hajredinaj është rritur duke punuar në atelienë e babait të saj, Jakup Haradinaj i cili po ashtu ishte piktor, madje artistja e quan veten “çika e babit” duke ju referuar kështu dashurisë dhe lidhjes së fuqishme që kishte me babin  e saj. Që në vegjëli,  artistja merrte ngjyrat dhe vizatonte afër tij. Duke e kujtuar atë kohë,  ajo thotë  se babai i saj këtë praktikë e bënte edhe me një qëllim tjetër, që fëmijët mos të bënin sherre.

Mirëpo, koha e kaluar në atelienë e artistit dhe profesorit,  ndikoi edhe tek fëmijët e tjerë të familjes të cilët po ashtu merren me art.

Kjo atelie mbeti e preferuar edhe për artisten e cila përmes një video instalacioni solli pamje nga kjo atelie e djegur gjatë luftës, brenda të cilës ishin ruajtur punime të familjes duke përfshirë këtu edhe vizatimet e artistes Hajredinaj kur ajo ishte fëmijë.

“Që në fëmijëri asnjë ditë nuk kam menduar diçka tjetër përveç artit”, thekson artistja, e cila përkundër kësaj dashurie të madhe për artin, filloi që të studionte për matematikë, pasi që shkolla e vetme e artit në atë kohë ishte në Pejë dhe familja nuk kishte dëshirë që ajo të studionte në një qytet tjetër.

“Në vitin 1994, vdiq babi im. Ai atëherë ishte 55 vjeç,  dhe unë e ndjeva si nevojë që tw vazhdoj rrugëtimin e tij, edhe pse vëllezërit e mi merreshin me art, për mua ajo nuk ishte e mjaftueshme. Prandaj edhe kam aplikuar në pikturë,  dhe pas tre viteve më kanë pranuar”, tregon artistja duke dëshmuar kështu edhe vendosmërinë e saj që të mos dorëzohej.

Pas luftës, Arbana Hajredinaj hap ekspozitën e parë duke paraqitur para publikut nëntë piktura, përmes të cilave paraqet ngjarjet që i ka parë dhe ka shkruar për to duke punuar si fotoreportere katër vite para luftës. Pikturat të cilat kanë tri ngjyra të kuqen, të bardhën dhe të zezën dhe elemente të ngjitura që njihet si teknika e asamblaxhit, teknikë me të cilën artistja ka punuar edhe më tutje për një kohë. Lidhja e Arbana Hajredinit me gazetarinë vazhdoj edhe më tutje duke udhëhequr edhe emisionin ARs, dedikuar pikërisht artit dhe kulturës në Kosovë.

“Kur jam kthyer mbas luftës me 3 korrik, ditën e nesërme kam shkuar në fakultet. Fakulteti ishte i thatë dhe unë isha njeriu i parë që kam hyrë në fakultet, në ndërtesën e vjetër. Të gjitha skulpturat, pikturat dhe punimet i kam gjetur të hedhura. Ato të kolegeve i kam njohur përmes vijave dhe ngjyrave. I kam gjetur në bodrum, në oborr dhe i kam mbledhë e i kam vendos brenda. Po ashtu i kam rregulluar edhe bravat e derës edhe i kam mbyll dyert. Pastaj, çdo ditë pastaj kam shkuar në fakultet dhe pas një muaji ka ardhur Lulëzimi, një shok i klasës, ai ishte i dyti, ndërsa pas gjashtë muajve kanë ardhur studentet e tjerë”, u shpreh artistja.

“Arti është bota ime dhe çka do që ndodh jashtë saj nuk mundet që të më shkatërroj e as të më përzihet në art”, theksoi artistja gjatë bisedës së ëmbël me të pranishmit në Galerinë Kombëtare të Kosovës, që erdhi në kuadër të diskutimeve që po sjellë ekspozita “Perceptime: Burrneshat”

Pas pikturave të para, artistja vazhdon punën e saj duke sjellë edhe shumë vepra të tjera të cilat u veçuan për karakteristikat e tyre. Veçojmë këtu punët e saj si: “Askush nuk është perfekt”, një punë e cila filloi me nxënësit të cilët vendosnin një fletë të bardhë në fytyrë dhe e pikturonin veten e tyre, për të vazhduar pastaj edhe me vet artisten e cila bëri të njëjtën gjë. Pikërisht kjo e fundit u shfaq në ekspozitën e fundit në galeri.

“As unë nuk jam përfekte”, është porosia të cilën artistja ka dashur që të lë pas. Apo vepra “Një dhomë pa piktura është e thatë”, të cilën artistja ia ka dedikuar babit të saj dhe shumë punë të tjera. Momentalisht artistja është duke punuar në një punë e cila sjelljet e njerëzve të cilët e kanë rrethuar gjatë përditshmërisë do i sjellë si video-art.

Hajredinaj është nominuar për çmimin e madh për Artin Pamor “The Global Art Awards” e themeluar nga MEACA. Ajo është një ndër 100 artistët botëror të përzgjedhur për këtë çmim. Njihet performance e saj në Tiranë e quajtur “Artisti Lëmoshtar” e shumë ekspozita tjera brenda dhe jashtë vendit si në Bienalen e Arti në Ekuador, Bienalen e Artit në Venedik, në Japoni, Qipro, Turqi e të tjera.

“Krijimtaria ime është personale, intime, dhe nuk mund ta vë në peshore me artin e dikujt tjetër dhe nuk ka çmim për këtë”, vë në theks Haradinaj.

Të shtunën në kuadër të diskutimeve do të jetë “Arti feminist në Kosovë-tabutë dhe sfidat” duke filluar nga ora 12:00 në GKK. Ekspozita “Perceptime: Burrneshat” si dhe diskutimet që po zhvillohen janë rezultat i bashkëpunimit në mes të British Council dhe Galerisë./ KultPlus.com

Të ngjajshme