Ismail Lulani, një ndër piktorët më origjinal e më të fuqishëm në historinë e artit shqiptar

6 Tetor, 2020 - 2:02 pm

Janë bërë sot 18 vite nga vdekja e Ismail Lulani, një ndër emrat e rëndësishëm të traditës shqiptare të pikturës.

Një penel që diti të zgjonte në çdo stinë e në çdo trajtesë, kumtimin e epshit të ngjyrave dhe të mëkonte me një muzikalitet dehës poetikën shprehëse të subjektit. Kohështrirja në veprimtarinë krijuese dhe gjeografia e sfidës, dëshmuan tek ai një piketë të rëndësishme të artit vizual shqiptar. Llojshmëria e punëve dhe trajtesa e veçojnë Ismail Lulanin, duke e pozicionuar në një kreshtë të lartë të asaj që për ne është jo vetëm matshmëria e së epërmes ku ai e çoi shpirtin e tij koloristik dhe skaliti ligjërimin joshës, për edhe detyresë mirënjohjeje për testamentin që la.

Ismail Lulani lindi më 1933 në Tuz, Mal të Zi në moshën 69 vjeçare në qytetin e Shkodrës, Shqipëri. Në moshën 9 vjeçare së bashku me familje vendoset në qytetin e Shkodrës. Në vitin 1967 mbaron Akademinë e Arteve të Bukura për pikturë monumentale, puna e tij e diplomës “Ded Gjo Luli me trima”, u vlerësua mjaft nga kritika e kohës. Emërohet dhe punon si profesor në Akademinë e Arteve në Tiranë dhe më pas vendoset me dëshirën e tij në qytetit e Shkodrës ku punon si profesor në Liceun artistik të këtij qyteti deri sa del si piktor në krijimtari të lirë. Ai ishte një ndër themeluesit e degës së arteve vizive (në shkollën e mesme artistike ‘Prek Jakova’) në qytetin e Shkodrës. Ai ishte anëtar i lidhjes së shkrimtarëve dhe artistëve të Shqipërisë. Ismail Lulani është një ndër piktorët më origjinal e më të fuqishëm në historinë e artit Shqiptar, ai ishte një piktor shumë aktiv në krijimtarinë e tij, eksploroi me mjeshtri në të gjitha gjinitë e pikturës, si kompozim, pejzash, portret e natyra të qeta. Pikturat e tij shquhen për forcën dhe lojërat magjike të ngjyrës, për vizatimin ekspresiv dhe mjetet shprehëse.

Për meritat e tij ai është nderuar me çmime dhe tituj të kalibrit të lartë:

  • Në vitin 1979 i jepet titulli “Piktor i Merituar”
  • Në vitin 1989 i jepet titulli i lartë “Piktor i Popullit”
  • I është akorduar titulli “Naim Frashri I klasit të Parë”
  • Në vitin 1999 në Biennialen e Romës për Artet Visive merr çmimi i dytë dhe i jepet medalja e argjentë, me tabllon (Ikja në Egjipt)
  • Pas vdekjes, në 70 vjetorin e lindjes iu akordua titulli “Krenaria e Shkodrës” i cili iu dorëzua të shoqes së artistit.

Ismail Lulani morri pjesë në të gjitha ekspozitat lokale që u zhvilluan në qytetin e Shkodrës si dhe ato kombëtare që u zhvilluan në Tiranë, rreth 20 punime të tij ndodhen në arkivat e Galerisë Kombëtare të Arteve në Tiranë, si dhe shumë të tjera pronë e galerive e muzeumeve në qytete të ndryshme të Shqipërisë.

Ai ka ekspozuar në shumë vende të huaja si: Romë (Itali), Paris (Francë), Linz (Austri), Neë York, Boston (USA), Toronto (Canada), Athin (Greqi), Pekin, Shangai (Kinë), Irlande, Rumani, Belgjike, Beograd(Serbi), Podgoric, Cetinj, Tivar, Ulqin (Montenegro), Prishtinë (Kosovë), Aleksandri (Egjipt), Turqi , Tunizi, Hungari, duke marrë vlerësimet më të larta nga kritika e huaj. Shumë nga pikturat e tij janë pronë e koleksionistëve të ndryshëm në Francë, Austri, Itali, USA, Gjermani, etj.

Lulani vdiq më 6 tetor të 2002 duke mbetur një nga emrat më të respektuar të Shkodrës dhe një nga emrat më të shquar në historinë e artit shqiptar. / KultPlus.com / KultPlus.com

Të ngjajshme