26 Mars, 2024 - 10:47 am
“Djalin ta kanë vra”, “Krejt me dalë jashtë”, “E ka gjujt me automat”, “Iu lutsha me shpirt me ma kthy djalin”, janë disa copëza të rrëfimeve të të mbijetuarve të masakrës së Krushës së Madhe, që ka ndodhur më 25, 26 dhe 27 mars të vitit 1999, në nderim të secilës në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës “Pjetër Bogdani” është hapur dje ekspozita: “Kujtesa e Kosovës: Rrëfimet e të Mbijetuarve të Masakrës së Krushës së Madhe”, shkruan KultPlus.
Në fundin e muajit mars të vitit 1999, që siç njihet është muaji i pranverës, për banorët e fshatit u kthye në një dimër të fortë e në një stuhi që po i merrte familjarët e tyre në mënyrën më mizore, e që veç pranverë nuk mund të quhej. Në një fshat të vogël të Rahovecit, në Krushë të Madhe, u masakruan 243 persona që ishin të moshuar, burra, të rinj e fëmijë. Ata nuk u vranë, se vrasja me një plumb do të ishte lehtësim për ta, por u rrahën, u maltretuan, e u dogjën të gjallë duke i lyer me materiale djegëse e duke u vënë flakën.
Në mbrëmjen e 25 marsit, pas 25 viteve ku dhimbja është shumë e freskët edhe pse ka kaluar një çerekshekulli, është hapur kjo ekspozitë, projekt ky që ka filluar katër vite më parë, ku është promovuar botimi me rrëfimet e të mbijetuarve të masakrës më të madhe në Kosovë, në dhjetë vëllime.
Në promovim, ishin të pranishëm ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ministri i Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, Ambasadorja e Kroacisë, Danijela Barišić, Ambasadori i Austrisë Georg Schnetzer, ambasadorja e Sllovenisë, Minca Benedejčič e shumë banorë të fshatit Krushë, mes të cilëve edhe të mbijetuar të masakrës.
Në hyrje të natës së promovimit, menaxherja e projektit, Gresë Maliqi, u shpreh se ky botim po del në dritë përpara përkujtimit të përvjetorit të kësaj masakre, ku u vranë të moshuar, burra, djem e fëmijë nga forcat serbe, dhe shumë të tjerë u zhdukën, u torturuan dhe u detyruan të largohen nga trojet e tyre.
“Ky botim është një përmbledhje e paçmuar e përvojave të jetuara të familjarëve dhe të të afërmeve të viktimave dhe të të mbijetuarve të masakrës, para, gjatë dhe pas luftës”, është shprehur Maliqi.
Ky projekt i cili përfshinë 33 hulumtues, është mentoruar nga prof. Arsim Canolli, prof. Tahir Latifi dhe prof. Shemsi Krasniqi. Ndërsa, projekti është udhëhequr nga Biblioteka Kombëtare e Kosovës: Gresë Maliqi, menaxhere e projektit, dhe punëtorët e Bibliotekës: Rudina Tahiraj, Liridon Zekaj, Albana Morina – Mazreku, Eronida Ismajli, Bujar Mehmeti dhe Valdet Hoti.
Në ekspozitë janë përzgjedhur disa fragmente nga videointervistat e transkriptuara të Masakrës së Krushës së Madhe, me qëllim që të frymëzojnë për të kujtuar se Krusha e Madhe është një nga vendet më të rëndësishme në Kosovë, për ndërgjegjen tonë historike.
Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, në një fjalim të shkurtër u shpreh se viktimat e Krushës së Madhe nuk mund t’i harrojmë sepse nuk mund të harrojmë historinë tonë, dhe se mbledhja e këtyre rrëfimeve jo vetëm të tipit të këtij projekti, por edhe grumbullimi i atyre rrëfimeve para gjykatave vendore dhe ndërkombëtare do të ishte një material i bollshëm për dokumentimin e krimeve të luftës.
“Kosova e ka institutin me të cilin do të dokumentohen të gjitha krimet që kanë ndodhur në Kosovë, jemi duke u angazhuar shumë që të fuqizohen institucionet, ato nuk do të falen dhe nuk do të harrohen asnjëherë”, është shprehur Haxhiu.
Në një intervistë për KultPlus, Haxhiu tutje u shpreh se gjatë mbrëmjes janë shpalosur 10 vëllime të masakrës së Krushës së Madhe, dhe se secila dëshmi e të mbijetuarve do të jetë ndihmesë për institucionet e drejtësisë me qëllim që ato të trajtojnë secilin krim që ka ndodhur gjatë luftës, duke filluar nga masakrat.
“Unë kam bërë përpjekje që të fuqizojmë kapacitetet e institucioneve të drejtësisë për adresimin e krimeve të luftës, numri i prokurorëve që merren me krimet e luftës është i vogël dhe ne kemi shtuar buxhetin që të rekrutojmë prokurorë shtesë për adresimin e këtyre krimeve”, ka thënë Haxhiu për KultPlus.
Tutje, ajo tha se adresimin e këtyre krimeve e ka pasur në përgjegjësi UNMIK-u dhe më pas EULEX, duke shtuar se sipas saj asnjëra nuk i kanë adresuar siç duhet krimet e luftës. Ajo tha se as pas dy dekadash nuk ka drejtësi për shumë të vrarë, dhe se instituti është në përfundim të shumë veprimeve për të funksionalizuar si institucion.
“Ua kemi borxh familjarëve apo të mbijetuarve, kur i shohim duke na parë në sy dhe kërkojnë nga ne që të sjellim drejtësi për familjarët e tyre”, është shprehur në fund Haxhiu.
Ndërsa, Kryetari i Këshillit të Bibliotekës Kombëtare të Kosovës, Bardh Rugova, është shprehur se është e rëndësishme që materiale të tilla të jenë në dispozicion edhe si video edhe të transkriptuara.
“Gara mes gjuhës së shkruar dhe të folur në epokën tonë të mediumeve bashkëkohore merr një tjetër dallim. Dallimet e para pak dekadave kanë ndryshuar dukshëm falë rrjeteve sociale dhe kulturës ku gjendemi. Në këtë epokë e kemi edhe projektin që po e promovojmë sot”, është shprehur Rugova.
Tutje, ai tha se një gjuhë e folur që është shkruar si një sfidë për kujtesë, për shoqërinë që e ka aq të lehtë të harrojë, për shoqërinë që është mësuar të harrojë.
Kurse, një nga mentorët e projektit, prof. Tahir Latifi, ka treguar se janë trajnuar hulumtuesit e këtij projekti.
“Forcat serbe kanë kryer rreth 300 masakra në Kosovë, një ndër më të tmerrshmet është ajo në Krushë të Madhe, menjëherë pas fillimit të sulmeve ajrore të NATO-s”, është shprehur Latifi.
Ai tha se pavarësisht dëshmive të të mbijetuarve dhe dëshmitarëve të kësaj masakre, shteti serb nuk është përballur ende me drejtësinë, dhe se është parë e nevojshme që të bëhet dokumentimi i fakteve përmes intervistave.
“Në vitin 2020 Biblioteka Kombëtare e Kosovës, në bashkëpunim me Departamentin e Antropologjisë me profesorët mentorë, hartoi projektin e mbledhjes së rrëfimeve të të mbijetuarve të masakrës së Krushës së Madhe që e përkrahu financiarisht Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Ambasada Amerikane në Kosovë dhe Komuna e Rahovecit”, u shpreh Latifi.
Por, ajo që preku zemrën e secilit prej të pranishmëve, ishte e mbijetuara e kësaj masakre, Miradije Ramadani, e cila u shpreh se e ka përjetuar tmerrin në ato tre ditë.
“Unë si nanë kam humbur burrin dhe 12 burra të familjes Ramadani, i kam shtatë fëmijë, djalin e kam pas tetë muaj dhe gjashtë vajza, e kam humb burrin si me i pas humb krejt familjen se s’dijsha qysh me i rrit fëmijët”, tha ajo nën emocione të forta.
Mes lotësh, ajo rrëfeu ditën e parë kur serbët i kanë urdhëruar që të gjithë të largohen nga shtëpitë e tyre, ku ka pasur edhe refugjatë të vendeve të tjera.
Ramadani tregoi se burrat e Krushës së Madhe i kanë marrë serbët e i kanë maltretuar, duke shtuar se burrat i kanë vendos në dy anët e rrugës dhe i kanë vrarë.
“Na kanë thanë përshëndetuni për herë të fundit, na ecshim tu i ngreh fëmijët, na kanë kërku pare e dukat. Burri jem e ka pas një copë bukë në dorë e e kanë pyt pse po e mban bukën në dorë, ai tha që po don me ja dërgu vajzës, serbët i ranë me pushkë në dorë e gati ia këputën dorën”, rrëfen ajo duke treguar tmerrin e fshatit që siç thotë ajo, i doli flaka.
E mbijetuara Ramadani, tha se kur kemi dal në rrugën kryesore duke u larguar, e kanë parë flakën e fshatit, ku disa persona kanë thënë se i kanë djegur trupat e burrave në fshat, që kanë qenë rreth 160 persona.
“Edhe djalin ma morën serbët, dhe e sillshin nëpër pushkë, një ushtar ma shpëtoi djalin, se iu lutsha me shpirt, i thojsha se veç këtë djalë e kam e atëherë ma kthyen djalin”, tregon ajo.
Pas rrëfimit të Miradije Ramadanit, pothuajse të gjithë të pranishmit ishin me lot në sy, e në këto emocione ata vazhduan të shohin ekspozitën e të shkëmbejnë mes vete përjetimet nga lufta e fundit në Kosovë. / KultPlus.com