5 Maj, 2020 - 4:39 pm
Java e Evropës në Kosovë do të fillojë me 9 e deri me 15 maj.
Zyra e Bashkimit Evropian por edhe Shtëpia e Evropës do të sjellin online një numër të madh të aktiviteteve që festojnë Ditën e Evropës – 9 majin.
Në programin e këtij viti do të ketë performanca ekskluzive, yoga, mesazhe inspiruese dhe aktivitete tjera.
Emrat si Sislej Xhafa, Dafina Zeqiri, Andrra, Petrit Çeku, Ardita Statovci, Arta Jashari do të jenë pjesë e aktiviteteve në forma të ndryshme.
Riccardo Serri nga Zyra e BE-së në Kosovë sot e prezantoi programin në përgjithësi.
“Edhepse në kohë të pandemisë, programi i Ditës së Evropës për këtë vit është i pasur dhe të gjitha moshat do ta gjejnë veten brenda. Do të ketë koncerte, filma, do ta shpallim Europianin e Vitit, do të kemi mësime të yogas” ka thënë mes tjerash Serri, shkruan KultPlus.
Për më shumë se dhjetë vite, Zyra e BE-së në Kosovë e feston Ditën e Evropës me koncerte e me një program të pasur ku gjithmonë reflektohet shpirti evropian i kulturës dhe artit.
“Jemi të gjithë së bashku edhe në këto kohëra, por është e rëndësishme që kjo simbolikë e Ditës së Evropës të festohet si gjithmonë, kësaj here pak më ndryshe por në faqet tona në Facebook, ku secili do të mund ta gjejë veten” ka vazhduar Serri.
Programi do të jepet nga 9-15 maj në dy faqet e BE-së në Facebook
( @EuropeanUnioninKosovo dhe @EuropeHouseKosovo )
Nuk do të mungojë edhe mesazhi i Ambasadores Nataliya Apostolova, dhe plot artistë të tjerë që do të sjellin mesazhin e diversitetit dhe dashurisë me anë të formave kreative. / KultPlus.com