25 Gusht, 2020 - 3:51 pm
Disenjatorë dhe shtëpi të njohura të modës të tilla si, “Giorgio Armani”, “Fendi”, “Prada” dhe “Versace”, po rikthehen në pasarelat e modës në muajin shtator, kështu është bërë e ditur sipas kalendarit të javës së modës në Milano, të publikuar javën e kaluar.
Pasi pandemia e koronavirusit i detyroi shumë shtëpi të modës ti prezantojnë koleksionet e reja online, më shumë se gjysma e pjesëmarrësve të zakonshëm të javës së modës në Milano po planifikojnë që veshjet e koleksionit “Pranverë/Verë 2021”, t’i prezantojnë në formë fizike, transmeton Koha.
Për shkak të masave të vazhdueshme për parandalimin e virusit, ku përfshihet mbajtja e maskave dhe distancimi social, shtëpitë e mëdha të modës kanë sugjeruar që të bëhen ndryshime në uljen e të ftuarve që i ndjekin sfilatat, duke e limituar dukshëm numrin e tyre.
Në tërësi, 28 shtëpi të modës planifikojnë t’i prezantojnë koleksionet e reja në formë fizike, dhe 24 të tjera do të marrin pjesë në javën e modës së Milanos e cila mbahet nga 23-28 shtator, përmes prezantimeve online.
“Dolce&Gabbana”, Salvatore Ferragamo, “Max Mara” dhe “Marni”, po ashtu përfshihen në listën e markave që do t’i mbajnë sfilatat me publik, bashkë me disa brende të reja si: “No. 21”, “Sunnei”, “Drome”, “MSGM. Missoni” dhe të tjerë.
Italia ishte shteti i parë jashtë kontinentit të Azisë që shënoi raste marramendëse të viktimave dhe të prekurve me koronavirus. Rajoni me numrin më të madh të të infektuarve ishte Lombardya, ku përfshihet edhe Milano. / KultPlus.com