19 Gusht, 2020 - 12:30 pm
Nëntë ditë pasi skulptori i njohur Arben Bajo u shua nga COVID 19, po sjellin punët e lëna përgjysmë në studion e tij. Studiuesi i arteve pamore Ermir Hoxha dhe studentët e skulptorit, rrëfejnë Arben Bajon artist dhe njeri.
Në mesin e rrugëtimit të tij jetësor e në kulm të krijimtarisë, vdekja erdhi e befasishme. Ndërsa në rrugicën “Eduard Mano” mungojnë ecejaket e tij, buzëqeshja e fjalët dashamirëse që reflektonte njeriun e urtë, Arben Bajo, veprat e tij që struken në studion modeste, guximtare bërtasin pavdekësinë e artistit. Figura njerëzore, humanizmi është kryefjalë e krijimtarisë së tij. Eleganca e nudove, ndërthuret me ndjeshmërinë e psikologjinë e femrës, duke u shndërruar në poezi.
“Beni e konsideronte veten skulptor të figurës njerëzore. Gati 80 për qind të veprave të tij i takojnë figurës njerëzore, si asaj femërore dhe asaj mashkullore. Nudot i ka mbajt më gjatë në duart e tij. Silueta femërore për të ishte një motiv jete. Por, është edhe një nga skulptorët e rrallë që tregon veten pa doreza. Në ekspozitën e fundit që do bënte, një cikël ishte për njeriun dhe instinktin kafshëror, që jeton brenda tij i miksuar me mitologjinë greke, që është shtylla kurrizore e kësaj eksperience të re”, thotë kritiku i arteve pamore Ermir Hoxha.
Hulumtimi në botën e brendshme njerëzore është i thellë edhe sa i përket mitologjisë. Anët e errëta, instinktet kafshërore që janë të mbështjella me trupat njerëzor i shpërfaq me një mjeshtëri të tille, që do ta kishte zili çdo artist bashkëkohor.
“Në fakt ne jemi para njërës prej këtyre veprave. Unë që jam studiues i arteve pamore e kisha të pamundur, që të gjeja një shembull të dytë të kësaj tipologjie figurative. Një artist që bën veten e tij, duke i mbivendos instiktin kafshëror, në rastin e kësaj figure jepet përmes brirëve, ku figura njerëzore po transformohet në një bishë”, shpjegon studiuesi.
Mes vështrimeve të mjegulluara prej trishtimit studentët, përpiqen të tregojnë pedagogun e tyre që u mësoi sekretet e zanatit. Dhe në mes të studios, vepra e tij e papërfunduar që miklon daltën e lënë mënjanë. Studentët tanimë e dinë se s’duhet lënë më gjatë të presë…, kjo krijesë duhet të shikoje dritën.
“Këto ditë për ne që kemi qenë ccdo ditë me të janë shumë të trishta. Ikja e tij ishte e papritur. Profesor Beni gjatë gjithë karrierës së tij në universitet zgjidhte studentët më të mirë, i merrte në studion e tij dhe i nxirrte në jetë. Do ta kujtoj si njeriun që ka bërë shumë për mua”, shprehet studenti i tij i skulpturës, Alem Toska.
“Në studio ndihet mungesa e tij. Mungon shpjegimi që ai na bënte. Puna e lënë përgjysmë, për ne është shumë e vështirë që ta derdhim pa të. Por, shpresojmë që të çojmë përtej në art atë që ai na dha”, thotë studenti i tij, Renato Kullolli.
Vdekja kobzezë i la Bajos, projekte pezull. Ekspozitën e planifikuar për në pranverë miqtë janë të vendosur ta realizojnë. Të tjera, u ndërprenë me mungesën e tij fizike, si realizimi i figurës së Ismail Kadaresë në vendlindje.
“Kishte në proces disa vepra publike. Një prej tyre ishte “Shëtitja”, që sa di unë do vendosej në Bulevardin e Ri të Tiranës. Por, bëhet fjalë edhe për një tjetër, një skulpturë për Kadarenë, e cila do të vendosej në Gjirokastër. Një projekt që Beni e donte shumë. Por do të na mbetet të gjithëve pishman, që nuk arritëm ta shikojmë të realizuar”, përfundon studiuesi.
Përjetësimi në skulpturë i personaliteteve shqiptarë, qe edhe një nga shkaqet që e rikthehu Bajon në atdhe, pas një qëndrimi të gjatë në Greqi. Arben Bajo, i urtë po asnjëherë indiferent ndaj zhvillimeve që preknin veçanërisht kulturën, ishte jo vetëm një nga artistët më të angazhuar, por edhe një nga të preferuarit e koleksionistëve. Vepra e tij, pret takimet me dashamirësit e artit elitar, sa kërkues të botës së brendshme, aq edhe sfidues të asaj sipërfaqësore e të lustruar. / Shqiptarja.com / KultPlus.com