11 Prill, 2025 - 4:30 pm
“Life and death” (Jeta dhe vdekja) titullohet ekspozita e parë në Shqipëri të artistit Faton Kryeziu, punët e të cilit janë ekspozuar në galerinë GOCAT.
Së bashku me kuratoren Suzana Varvarica, Kryeziu paraqiti gjithsej 25 piktura të formatit të madh të punuara në teknikën vaj në pëlhurë.
Me ngjyra dinamike dhe tekstura të forta, Faton Kryeziu bën një rrëfim të thellë mbi ciklin e jetës dhe vdekjes, duke ftuar publikun në një dialog përtej telajos. Në këtë ekspozitë, hapësira bashkëkohore e galerisë GOCAT shndërrohet në një udhëtim artistik ku drita dhe errësira, fillimi dhe fundi, takohen në një harmoni dinamike.
Kuratorja Suzana Varvarica është shprehur se, për piktorin Faton Kryeziu “Jeta dhe Vdekja” është realiteti, ku gjithçka që ka fillim, ka dhe fundin e vet.
Tematika që artisti ka zgjedhur të sjellë në këtë ekspozitë të parë në Shqipëri është “Kosova e djegur”, sjellë gjithashtu në pranverë duke lulëzuar, si një vrojtues i mirë i asaj që ka përjetuar, ose i asaj që i ka ndodhur vendit në të cilin jeton. /atsh/ KultPlus.com