Jeta Kalaveshi përmes pikturave e vajton kohën e shkuar

7 Maj, 2019 - 1:00 pm

Mesazhet artistike për kohën e kaluar, për mos leximin e librit dhe rritjen e përdorimit të teknologjisë u shfaqen mbrëmë në ekspozitën “Velloja e kujtimit si dramë” e artistes Jeta Kalaveshit, vepra këto që shënojnë ekspozitën e dytë personale të artistes ë që u ekspozuan në Galerinë e Ministrisë së Kulturës në Prishtinë, shkruan KultPlus.

Në këto vepra shfaqet preokupimi i artistes me rrezikun në rritje ndaj uljes së nivelit të leximit të librit tek të rinjtë në Kosovë dhe e rritjes së përdorimit tekniko teknologjik, respektivisht elektronikës. Rezultatet në këto vepra të paraqitura na tregojnë që sipas autores shumë pasuri shpirtërore duke filluar prej bibliotekave familjare dhe publike, si duket janë bërë problem për familjet e reja “bashkëkohore” të cilat marrin rrugën e riciklimit.

Në këtë ekspozitë, artistja Jeta Kalaveshi u paraqit me 19-të punime të karakterit vajë në pëlhurë që i ka punuar që në vitin e tretë të studimeve. Çdo vepër e ekspozuar ka një mesazh unik, e në tersi ekspozita e bënë një krahasim të fëmijërisë në të cilën është rritur vetë artistja dhe fëmijërisë në të cilën rriten sot gjeneratat e reja.

Kuratorja e ekspozitës Zake Prelvukaj, tha që kemi të bëjmë me një ekspozitë shumë atraktive në të cilën paraqiten kohët e vjetra dhe koha kur lexoheshin librat e që sipas saj sot ato mungojnë.

“Kemi të bëjmë me një ekspozite shumë atraktive, kemi të bëjmë me një artiste të re e cila gjithë jetën e vet, ato që i absorboj i vendosi në këto piktura e na tregoj neve që fatkeqësisht një kohë e ëmbël, emocionale e dashur që ishte për të gjithë e po ashtu kohë kur lexonim libra e që sot në këtë vit atraktiv të gjitha këto mungojnë”, tha Prelvukaj.

Po ashtu ajo u shpreh se artistja përmes këtyre veprave e vajton kohën e shkuar e cila sipas saj është duke u shuar.

“Jeta përmes këtyre pikturave e vajton kohën e shkuar, e shpall jo krejt të vdekur por në atë mënyrën e saj të butë, që ajo kohë po shuhet e po mbetet në muzeume. Kemi të bëjmë me një artiste të dashur, ajo është temperamente aty ku duhet të jetë dhe  mendoj që Jeta do të japë shumë për artin kosovarë”, u shpreh ajo.

E autorja e kësaj ekspozite, Jeta Kalaveshi, u shpreh për KultPlus se mesazhi që përcjellin veprat e saj është që të vetëdijesojnë njerëzit që të lexojnë më shumë libra, që të vizitojnë të afërmit e tyre e që sipas saj të mos e kalojnë kohën kotë në rrjetet sociale.

“Mesazhi që përcillet nga këto piktura është që ti vetëdijesoj njerëzit që të lexojnë më shumë libra, që ti kujtojnë kohët e vjetra, që të mos ecin përpara pa kujtuar të shkuarën po ashtu mos ta shpenzojnë kohën e tyre vetëm në Instagram e Facebook kotë, kur mundën që të lexojnë një libër e ta vizitojnë një shokë, shoqe apo kolegë”, u shpreh Jeta për KultPlus.

Jeta Kalaveshi ka studiuar për Marketing në Kolegjin AAB, pastaj në Fakultetin e Arteve-drejtimi Pikturë, në Universitetin e Prishtinës. Deri më tani është pjesëmarrëse në dhjetë ekspozita kolektive brenda dhe jashtë Kosovës si në Prishtinë, Tiranë, Tetovë, Trieste-Itali, Abidjan-Bregu i Fildishtë, etj. / Gzim Mujaj / KultPlus.com

Të ngjajshme