15 Maj, 2020 - 1:00 pm
Gjatë ditëve në karantinë, Jetmir Idrizi nuk ka humbur kohë kot.
Me anë të programit ZOOM dhe me anë të mënyrave tjera të rrjeteve sociale, fotografi i njohur ka fotografuar disa njerëz e personalitete nga largësia.
Aleanca LGBTQI nga Shqipëria, e cila merret me të drejtat e komunitetit LGBT, e ka ftuar Idrizin për një projekt i cili është përzierje mes fotografisë dhe aktivizim.
“Edhe unë gjatë kohës së karantinës kam gjetë një mënyrë të re të punës. Me anë të Computer Screen nisa të realizoj fotografitë dhe më pas u kontaktova nga Xheni Karaj për një ekspozitë virtuale ku do të fotografoheshin pjesëtarë të komunitetit queer nga i tërë Ballkani” tregon Idrizi për KultPlus.
Projekti quhet ‘Queerantine’, dhe mund të shihet në Instagram, në Queerantine.al
“Për me e realizu këtë punë edhe për mua ka qenë diçka e re, si proces i punës por gjithashtu edhe sfidues pasi nuk kam qenë vetëm unë në kontrollë të dritës e hapësirës, por edhe personat të cilët i kam fotografu e të cilët nuk kanë hezitu ta japin kontribuutin e tyre. Jam shumë i kënaqur me rezultatin në fund” tregon Idrizi.
Fotografitë tanimë janë në rrjete sociale dhe korrespondojnë edhe me 17 majin, Ditën Ndërkombëtare kundër Homofobisë, Transfobisë dhe Bifobisë. / KultPlus.com