Jeton Gusia vjen me ekspozitë personale në Galerinë Kombëtare të Kosovës

3 Nëntor, 2022 - 1:20 pm

“Idile të Rëndomta të Jetës Moderne” është ekspozita e radhës që do të zërë vend në ambientet e Galerisë Kombëtarë të Kosovës.

Ekspozita personale e autorit Jeton Gusia e që është kuruar nga Blerta Hoçia, paraqet një atmosferë të paqtë ku mbizotërojnë tonet e ngrohta të tokës, të kafta, të verdha, rozë, diku të ndritshme por më shumë të pista, ngjyrat përzihen me dheun që e dominon pikturën e që ngrihet deri në qiell me anë të gjetheve të pemëve edhe ato prej dheu dhe pluhuri.
Midis shtëpisë dhe ekskavatorit; një tension i fshehur, një duel i brendshëm.
Në të vërtetë i pikturuar nuk është një përbindësh i hekurt por një gërmadhë e pamundësuar tashmë ta gërryej dheun e të hapë themele. E shtrirë, me kockat që formojnë zgavrën e kraharorit të një kafshe të stërmadhe.
Ndërkohë, shtëpia rozë merr trajtat e të gjitha shtëpive dhe njerëzve që e banojnë, të heshtur dhe pasivë në pranimin e kohës, të dheut dhe të dritëhijeve lozonjare të prodhuara nga loja e gjetheve me diellin.

Peizazhet urbane, jeta rurale, pjesë nga aktivitete të përditshmërisë, në pishina, në qendra masazhi, në autobus, në mensën e qendrës tregtare; janë copëza dite që e përbëjnë të jetuarit në tërësinë e vet, një botë e vogël e treguar në imtësi, një botë e duruar edhe kur është dhunshme edhe kur një tension nën lëkurë duket se do ta plasarisë telajon e bashkë me të edhe pikturën.

Duke imituar gjestin dhe formën piktorike të artistit edhe shikimi i punëve në ekspozitë ofrohet në terr, si në hyrjen e një miniere, ku avancimi në brendësinë e galerisë nëntokësore nënkupton pakësimin e dritës që vjen nga jashtë. Kjo mund të shërbejë si një metaforë kuptimplotë ku humbja e dritës së ndërgjegjes shkëmbehet me fitimin e errësirës ose aftësinë për të avancuar më në brendësi të të panjohurave që nuk mundet ti ofrojë vetëdija.
Vizitori do ta gjejë veten të zhytur në thellësitë e tuneleve brenda të cilave vallëzon një ritëm primordial, ai i pavetëdijes kolektive, ku herë pas here fragmente imazhesh arketipike si idile të pikturuara të përditshmërisë rilindin, duke u shfaqur me thjeshtësinë e jetës së jetuar. Si për të thënë se të vërtetat thelbësore, kuptimet e çmuara gjenden aty para nesh në pamjen e një skene të rëndomtë me personazhet e panumërta që e popullojnë, ku secili subjekt është kuintesenca e asaj që përfaqëson.

Piktura e Jeton Gusisë është gjithmonë pak e largët e në mënyrë të natyrshme merr këndvështrimin që njihet si bird eye për shkak të rrafshtësisë por edhe plotësisë së vizionit. Ai liston detajet me dëlirësinë e fëmijës në pazarin e kerreve, ku njerëzit janë të renditur njëjtë me këpucët shumëngjyrëshe, çantat, kafshët në kafazë, radiot, veglat muzikore e orenditë e panumërta të përditshmërisë kapitaliste ballkanase. Larg pretendimeve dhe temave politike apo atyre që u jepet njëfarë peshe historike, artisti ka krijuar një mikrokosmos të tematikave por edhe problematikave vetjake e shoqërore me punë që prekin të gjitha sferat e të jetuarit, si komunikacioni, qentë në strehimore, periferia, ndërtimet, vendet e kënaqësisë, pjesë nga jeta e fshatit, punëtorët, fabrika etj.

Ekspozita hapet nesër, më 08 nëntor, në ora 19:00 në Galerinë Kombëtare të Kosovës. / KultPlus.com

Të ngjajshme