13 Tetor, 2021 - 10:58 am
Ikona Johan Pagëzori është e pikturuar në një stil realist perëndimor.
Muzeu Kombëtar i Artit Mesjetar në Korçë thekson se Johan Pagëzori është konsideruar si një profet shumë i rëndësishëm, ai konsiderohet si pararendës i Krishtit, si shenjtori apo profeti që përgatiti rrugën e tij. Shumë herë është konsideruar si profeti i fundit ose shenjtori i parë duke u nisur nga historia e tyre e shenjtë.
Në këtë ikonë, Johan Pagëzori paraqitet duke mbajtur në dorë një elitar të shkruar me fjalën e shenjtë për ardhjen e shpëtimtarit të botës. Ky element është shumë domethënës thjesht për faktin që Johan Pagëzori solli mesazhin e mirë.
Prapa tij piktori ka pikturuar lumin Jordan, lumin ku u pagëzua Krishti. Por ndryshe nga modelet bizantine në këtë ikonë lumi Jordan punohet në mënyrë shumë realiste në një kontekst shumë real mes bimësisë.
Ikona shpalos më së miri influencat e artit perëndimor dhe preferencat e piktorit për këto modele. Ai është pikturuar në stil realist me vëllime të plota, plastikë të ëmbël dhe draperi të zhdërvjellta.
Ikona është pikturuar nga ikonografi i njohur dardhar Vangjel Papa Jani Zengo për të zbukuruar ambientet e kishës së Ungjëllizimit në Tiranë. /atsh/ KultPlus.com