John Baldessari, prijësi i artit konceptual

7 Janar, 2020 - 3:00 pm

“Unë nuk do të bëj më art të mërzitshëm”, ishte titulli i njërës prej veprave më të njohura të John Baldessaarit. Dhe kjo fjali e përmbledh më së miri qasjen e artistit të njohur. Në botën e artit ai u bë njëri nga figurat udhëheqëse të lëvizjes së konceptualizmit.

Baldassari, i cili me humor kundërshtoi konturat e artit bashkëkohor, vdiq të enjten e kaluar. Lajmi për vdekjen e tij në Los Angeles u konfirmua të dielën. Ai ishte 88-vjeç. Fillimisht kundërshtoi ngurtësinë e botës së artit, deri në një pikë që artistët e tjerë të artiti konceptual, kryesisht me qendër në New York, menduan se Kalifornia nuk po e merrte mjaft seriozisht punën e tyre. “Konceptualistët menduan se unë thjesht po bëja art qesharak dhe mendoja se arti i tyre ishte i mërzitshëm”, kishte thënë Baldessari për “The New Yorker”.

Në një vepër të njohur të vitit 1971, Baldessari sfidoi një nga nocionet më të fuqishme të botës së artit modern: autorësinë. Edhe pse ai ishte prapa idesë, dora e tij nuk mori pjesë në krijimin aktual: Ai bëri studentët e kolegjit të artit në Nova Scotia të shkruajnë: “Unë nuk do të bëj më art të mërzitshëm” si një ndëshkim, në muret e një galerie në të cilën ai nuk shkeli. Një printim që doli nga ky projekt është pjesë e koleksionit të Muzeut të Artit Modern.

Lindur më 17 qershor 1931, Baldessari nisi karrierën si piktor në vitet ‘50. Në vitin 1966, ai tashmë ishte duke kombinuar tekstin dhe fotografitë në kanavacë. Hoqi gjithnjë e më shumë shkrimin e tij nga teksti i shkruar që shfaqej në veprat e tij, duke shfaqur tekstin me fjalë, me shkronja të zeza e të thjeshta për të mos e shpërqendruar shikuesin. Edhe titulli i asaj serie të parë pikturash ishte një thënie ironike: “Një sipërfaqe dydimensionale pa asnjë artikulim është një përvojë e vdekur”.

Për një vepër të titulluar “Projekti i kremimit” në vitin 1970, artisti dogji të gjitha pikturat që kishte realizuar prej vitit 1953 deri në vitin 1966 dhe pjeku hirin në biskota që pastaj ishin vendosur në një urnë të zbukuruar me recetën e biskotave.

Një nga motivet e tij mbizotëruese nga mesi i viteve ‘80 e tutje ishte të ngjiste pika në portrete të pikturuara ose të fotografuara. Duke përdorur afishet e rrumbullakëta që ishin përdorur zakonisht në galeri për të treguar që një vepër arti ishte shitur, Baldessari ndau edhe vizionin e tij satirik për tregun e artit.

Baldessari ishte artisti pas shfaqjeve të pazakonta dhe krijoi skulptura, duke përfshirë edhe “Trumbetën e Beethovenit (me vesh) Opus # 127, 130, 131, 132, 133, 135”. Gjatë karrierës prej gjashtë dekadash, Baldessari hapi mbi 200 ekspozita personale dhe mori pjesë në 1000 ekspozita grupore.

Në mesin e çmimeve prestigjioze që Baldessari ka marrë për artin e tij janë Medalja Kombëtare e Arteve, dhënë nga presidenti amerikan Obama në vitin 2014, “Luani i artë” për vepër jetësore Bienalen Ndërkombëtare të Artit në Venecie e çmimi gjerman “Goslar Kaisading” në vitin 2012 / Deutsche Welle. /KultPlus.com

Të ngjajshme