10 Mars, 2020 - 10:51 am
Me rastin e shënimit të Ditës Ndërkombëtare të Gruas, dje u dëgjuan dy zëra të fuqishëm që pesë vitet e fundit nuk janë ndalur së luftuari për drejtësi për viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës së fundit në Kosovë. Në Kuvendin e Kosovës, Vasfije Krasniqi -Goodman foli para deputetëve të Kuvendit, e në anën tjetër artistja Alketa Xhafa Mripa në Parlamentin britanik në Londër mbajti një fjalim për çështjen e të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës para shfaqjes së dokumentarit mbi veprën artistike “Mendoj për ty” e realizuar pesë vite më parë në Prishtinë. Të dyja kanë thirrur për drejtësi duke adresuar luftën ndaj stigmatizimit të viktimave dhe duke theksuar që krimet e luftës duhet të merren seriozisht, shkruan KultPlus.
Artistja Alketa Xhafa Mripa e cila ka shkuar në Londër si një refugjatë pasi që ishte larguar nga Kosova gjatë luftës së fundit, ka treguar çdoherë se përmes artit të saj përpiqet që të vë në pah çështjet si emigracioni, refugjatët, dhunimet gjatë luftës e të tjera. Ajo vazhdon të mos qëndroj indiferente ndaj padrejtësive, duke i vënë synim vetes që të vë sa më shumë në pah këto çështje përmes artit.
Kështu veproi edhe ditën e djeshme, Xhafa- Mripa ku përvec fjalimit ajo foli edhe përmes dokumentarit “Mendoj për ty”. Përmes kësaj vepre, Xhafa-Mripa ngriti vëmendjen për drejtësi, luftën ndaj stigmatizimit të viktimave si dhe bëri thirrje që krimet e luftës të trajtohen më me seriozitet dhe urgjencë.
Të pranishëm në këtë prezantim në Parlamentin Britanik ishin deputet, shoqëri civile, aktivist të ndryshëm të çështjes së gruas, miq të Kosovës si dhe Liridona Hertica, si përfaqësuese nga Ambasada e Republikës së Kosovës në Londër.
Alketa Xhafa Mripa ka thënë për KultPlus se dëshmia e fuqishme e Vasfije Krasniqi – Goodman dje para deputetëve në Kuvendin e Kosovës bëri që historia të përsëritet e përsëritet. Por, gjithashtu ajo shprehet e lumtur për gratë prezentë dje në Parlamentin britanik.
“Ishte një kënaqësi të shihje Julie Ward një poete dhe politikane e cila ishte e motivuar të dilte për zgjedhjet në Parlamentin Evropian për shkak të mashtrimit të dhunës ndaj grave dhe vajzave në nivel global. Ajo bëri fushatën me One Billion Rising dhe u bashkua me Komitetin për të Drejtat e Grave dhe Barazinë Gjinore dhe delegacionin për marrëdhëniet me Kosovën. Gjithashtu takim personal me Margaret Oëen, një avokat për të drejtat e njeriut. Ajo themeloi organizatat e para ndërkombëtare që adresojnë çështjet e të drejtave të njeriut, dhe tani është drejtoresha e WPD, Widows for Peace via Democracy”.
Por, pas përfundimit të kësaj ngjarje, instalacioni “Mendoj për ty” e inspiroi Julie Ward për të shkruar një analizë të thuktë. Në këtë analizë, Ward e vlerëson artisten kosovare si shumë të kujdesshme në punën e saj dhe pohon që dhuna seksuale në konflikt vazhdon, por falë punës së Alketës është thyer heshtja.
KultPlus ju sjell analizën e plotë të Julie Ward për instalacionin “Mendoj për ty” të artistes Alketa Xhafa Mripa:
“Këto akte të papërshkrueshme të dhunës janë kryer në kohë lufte, në formë përdhunimi seksual të viktimave para anëtarëve të familjes, duke përfshirë burrat dhe fëmijët.
Fatkeqësisht dhuna seksuale është pjesë e vazhdimit të dhunës në baza gjinore nga burrat, dhe fatkeqësisht nuk ka asnjë shenjë që kjo të ndalohet.
Gjatë luftës në ish-Jugosllavi ishin rreth 50.000 gra dhe vajza që u dhunuan nga policia serbe. Dekada më vonë, ky komunitet po lufton me stigmën e turpit ndërsa dhunuesit janë ende të pa dënuar nga drejtësia.
Artistja kosovare Alketa Xhafa-Mripa u shqetësua pasi që e pa një intervistë televizive me një të mbijetuar anonime. Dhe ajo vendosi që në vitin 2015 ta krijojë një instalacion arti si mjet ndërgjegjësimi dhe solidariteti me viktimat.
“Thinking about you”, përfshinë bashkimin e rreth 5.000 fustaneve të shtrirë në fushën e stadiumit të futbollit në Prishtinë. Këto veshje u dhanë nga gra dhe vajza kosovare, si dhe nga ish-Presidentja Atifete Jahjaga dhe ylli i popit Rita Ora.
Pesë vjet më vonë, unë dhe Alketa me grupin e komunitetit të rinisë shqiptare kundër dhunës me qendër në Londër, shikuam dokumentarin e Fitim Shalës. Ne jemi një grup në kuadër të së cilit kemi artistë, politikanë, akademikë, avokatë, gazetarë, aktivistë të komunitetit, një ish-oficer policie dhe anëtarë të diasporës kosovare.
I njoh disa gra në këtë film, i kam takuar gjatë vizitave të mia në Kosovë si anëtare e Parlamentit Evropian për marrëdhëniet me Kosovën. Ato veshje janë zgjedhur me shumë kujdes, dhe janë veshje që kanë një histori për pronarët e tyre, si fjala vjen, ato janë veshur për ndonjë ditëlindje apo ndonjë ditë tjetër të veçantë. Këto veshje u bënë trupat e grave, të lakuara, të shtruara në tavolina mes lotësh mirënjohjeje.
Në këtë vepër arti, artistja është shumë e kujdesshme. Procesi i këtyre veshjeve që filloi 5 vjet më parë kishte qëllim shërimin kolektiv përmes angazhimit publik me objekte simbolike.
Viktimat e përdhunimit të luftës së fundit në Kosovë tashmë flasin edhe përtej kufijve të vendit të tyre. Dhuna seksuale në konflikt vazhdon, por falë punës së Alketës është thyer heshtja.” / KultPlus.com