27 Tetor, 2022 - 5:00 pm
Flonja Haxhaj
Sheshi ‘Zahir Pajaziti’ në Prishtinë sot mori një pamje krejt tjetër dhe të veçantë me hapjen e ekspozitës ‘Gjuajtje në Shenjë’ nga autori Jusuf Islami.
Me qëllim kryesor vetëdijësimin e qytetarëve në mos përdorimin e mjeteve për gjuajtje, sidomos në shenjat e trafikut nëpër rrugë rurale, kjo ekspozitë solli pas edhe pjesën artistike ku nënëtë artistë se bashku me fëmijët nga Shoqata e Autizmit kanë bërë punimet e tyre e të cilat më pas janë shitur, e ku mjetet e fituara nga shitja e tyre kanë shkuar direkt për fëmijët me autizëm, shkruan KultPlus.
Kjo ekspozitë erdhi si një thirrje përmes artit, e ku qëllimi kryesor është vetëdijësimi i qytetarëve dhe informimi i tyre me rreziqet që mund të sjellin pas gjuajtja në shenjat e trafikut.
Vetë ideatori Islami tha për KultPlus se e gjithë ideja për realizimin e kësaj ekspozite e cila vjen për herë të parë në Kosovë, erdhi kur ai duke kaluar me biçikletë në vise rurale, ka hasur në shenja të trafikut të cilat kanë qenë të shkatërruara nga njerëz të cilët kanë gjuajtur në drejtim të tyre me mjete për gjuajtje duke ua humbur kuptimin dhe duke rrezikuar jetën e atyre që kalojnë nëpër ato vende.
E nga aty ai ka marrë iniciativën në realizimin e një ekspozite, e ku tetë nga ato shenja të shkatërruara ai i ka marrë për t’i përdorur në ekspozitën e tij, ndërkaq nëpër ato vende janë vendosur shenja të reja.
“Më ka lindur ideja që të bëj një ekspozitë të tillë që ato tetë shenja të cilat i kemi përzgjedhur, i kemi zëvendësuar me shenja të reja përkohësisht, që qytetarët me i pa nga afër dëmtimin e shenjave ku e para është që nuk ke të drejtë me përdorë mjete të gjuajtjes, e dyta, prapa shenjës mund të jetë një njeri, një shtëpi apo një kafshë që mund të humb jetën”, u shpreh Islami.
Ideatori Islami foli për KultPlus edhe gjatë ekspozitës duke u shprehur se gjithçka në ekspozitë shkoi ashtu siç edhe ishte planifikuar, e ku vëmendjen e morën fëmijët nga Shoqata e Autizmit të cilët në bashkëpunim me artistët realizuan me dashuri punimet e tyre.
“Shpresoj që mesazhi jonë që mos me i përdor mjetet për gjuajtje të shkojë në vendin e duhur dhe kjo kauzë artistike, humane të përçojë një mesazh te tjerët mjetet për gjuajtje sepse mund të marrin jetë njerëzish. Tjetra është që të mos e dëmtojnë pronën publike, andaj një iniciativë e tillë është shumë e qëlluar në kohën e qëlluar.”, u shpreh Jusufi, i cili ndër të tjerash tha se kjo ekspozitë për momentin është vetëm në Prishtinë por nuk përjashtohet mundësia që të paraqitet edhe në vende të tjera në raste të fushatave vetëdijësuese.
E pranishme në këtë ekspozitë ishte edhe Hatixhe Hoxha nga Shoqata e Autizmit e cila falënderoi ideatorin e ekspozitës dhe Komunën e Prishtinës për këtë iniciativë.
“Jemi shumë të nderuar që jemi pjesë e këtij aktiviteti, shumë suksese në sensibilizimin dhe avokimin e fëmijëve me autizëm”, u shpreh Hoxha.
Ndërkaq, ekspozita ‘Gjuajtje në Shenjë’ u pa si një aktivitet tejet i rëndësishëm edhe nga prindërit e fëmijëve me autizëm.
Hatixhe Krasniqi, e cila ishte e pranishme në këtë ekspozitë bashkë me djalin e saj autik tha se organizimi i aktiviteteve të tilla është shumë e rëndësishme për fëmijët me autizëm.
“Falënderoj organizatorët dhe komunën që e kanë marrë një hap të tillë sepse është diçka shumë pozitive. Po e vërejmë që për përgjatë kësaj periudhe sa zgjat ekspozita do të jemi në qendër të vëmendjes dhe do të kujtohen edhe njerëzit e tjerë që edhe ne jemi pjesë e shoqërisë, edhe ne mundemi dhe se edhe fëmijët tanë duhet të jenë pjesë e shoqërisë”, tha Krasniqi, e cila shtoi për KultPlus se ndonëse aktivitetet individuale për fëmijët me autizëm nuk po mungojnë, aktivitetet nga ana e institucioneve janë të pakta.
Ndërkaq, artistët të cilët morën pjesë në këtë ekspozitën ishin Albiona Berisha, Fatjona Hajdaraj, Emona Deda, Florentina Ramadani, Jona Ahmeti, Jehon Gallapeni, Laura Jahiri, Rema Salihu, Argjenda Azemi dhe Denis Biblekaj.
Ju kujtojmë që ky projekt është financuar nga Komuna e Prishtinës, mbështetur nga RSM, dedikuar fëmijëve me autizëm./ KultPlus.com