24 Tetor, 2022 - 8:00 pm
Shenjat e trafikut janë krijuar me qëllim të paralajmërimit të vozitësve dhe kalimtarëve që kalojnë nëpër një rrugë, por më shumë se ky qëllim parësor i tyre, sidomos në vise rurale ato po përdoren si shënjestra për të gjuajtur me mjete për gjuajtje, shkruan KultPlus.
E kjo mund të jetë një rrezik i madh për jetën e njerëzve dhe kafshëve që kalojnë nëpër ato anë.
Për të rritur vetëdijësimin e qytetarëve në mos përdorimin e mjeteve për gjuajte, të enjten, më 27 tetor, në sheshin ‘Zahir Pajaziti’ në Prishtinë do të hapet ekspozita ‘Gjuajtje në shenjë’ nga Jusuf Islami.
Kjo ekspozitë vjen si një thirrje përmes artit, e ku qëllimi kryesor është vetëdijësimi i qytetarëve dhe informimi i tyre me rreziqet që mund të sjellin pas gjuajtja në shenjat e trafikut.
Vetë ideatori Islami thotë për KultPlus se e gjithë ideja për realizimin e kësaj ekspozite e cila vjen për herë të parë në Kosovë, erdhi kur ai duke kaluar me biçikletë në vise rurale, ka hasur në shenja të trafikut të cilat kanë qenë të shkatërruara nga njerëz të cilët kanë gjuajtur në drejtim të tyre me mjete për gjuajtje duke ua humbur kuptimin dhe duke rrezikuar jetën e atyre që kalojnë nëpër ato vende.
E nga aty ai ka marrë iniciativën në realizimin e një ekspozite, e ku tetë nga ato shenja të shkatërruara ai i ka marrë për t’i përdorur në ekspozitën e tij, ndërkaq nëpër ato vende janë vendosur shenja të reja.
“Më ka lindur ideja që të bëj një ekspozitë të tillë që ato tetë shenja të cilat i kemi përzgjedhur, i kemi zëvendësuar me shenja të reja përkohësisht, që qytetarët me i pa nga afër dëmtimin e shenjave ku e para është që nuk ke të drejtë me përdorë mjete të gjuajtjes, e dyta, prapa shenjës mund të jetë një njeri, një shtëpi apo një kafshë që mund të humb jetën”, u shpreh Islami.
Përveç anës vetëdijësuese që ka në rend të parë, Islami tha se ekspozita ‘Gjuajtje në Shenjë’ vjen si një thirrje publike përmes artit, e ku ana artistike shprehet përmes artistëve të cilët do të vendosin përpara shenjat e dëmtuara dhe atë që shohin, do ta paraqesin në punimet e tyrr, në atë se se i përceptojnë ata vetë ato shenja, me emocionet dhe konceptin e tyre.
“Më pas, ato punime do të vendosen në ankand, ose nëse është ndonjë blerës potencial, me i ble ato piktura, mjetet direkt shkojnë për fëmijët me autizëm”, tha Islami për KultPlus, i cili mes tjerash shtoi se kjo ekspozitë është e veçantë pasi ngërthen në vete tri qëllime kryesore, vetëdijësimin e qytetarëve, anën artistike përmes punimeve të artistëve dhe anën humane ku të gjitha mjetet nga shitja e pikturave do të shkojnë për fëmijët me autizëm.
Po ashtu, e veçanta e kësaj ekspozite është edhe prezenca e fëmijëve me autizëm të cilët do të jenë prezentë për ta shijuar nga afër performancën.
Ndërkaq, artistët të cilët do të marrin pjesë në ekspozitën e cila fillon nga ora 11:30 janë Albiona Berisha, Fatjona Hajdaraj, Emona Deda, Florentina Ramadani, Jona Ahmeti, Jehon Gallapeni, Laura Jahiri, Rema Salihu, Argjenda Azemi dhe Denis Biblekaj.
Ju kujtojmë që ky projekt është financuar nga Komuna e Prishtinës, mbështetur nga RSM, dedikuar fëmijëve me autizëm./KultPlus.com