14 Shkurt, 2019 - 5:17 pm
Alberina Haxhijaj
Libraria “Dukagjini” në Prishtinë ka dy ditë që është mbushur plot me dashuri. Kësaj radhe, në hyrje të librarisë këtë përshtypje nuk e japin vetëm librat e radhitur në formë zemre, por edhe kartolinat dhe qirinjtë e krijuar nga personat me Sindromën Down.
Aldi Hoxha dhe Linda Dibra me ngrohtësi mirëpresin çdo vizitor në këtë librari, tash e dy ditë. Ata janë angazhuar për të shitur kartolina dhe qirinj të krijuar nga personat me Sindromën Down, si pjesë e shoqatës Down Syndrome Kosova. Madje, kur afër kioskës së tyre nuk ka ndonjë të interesuar për punimet e tyre ata gjejnë kohë edhe për të vallëzuar. Kur dikush afrohet pranë, asnjëri nga ta nuk ngurron që të bisedojë duke këshilluar se cila mund të jetë zgjedhja më e mirë si dhuratë për këtë ditë.
‘Sot kemi qirinj dhe kartolina të cilat janë me motive për Ditën e të Dashuruarve’ tregoi për KultPlus 22 vjeçari Aldi Hoxha.
“Jam anëtar i shoqatës dhe e falënderoj sot stafin e librarisë që na kanë mirëpritur. Sot kemi shitur më së shumti kartolina me lule dhe zemra por edhe qirinjtë dhe ka pasur shumë njerëz që kanë blerë”, tregon Hoxha.
Ky aktivitet i organizuar është në vazhdën e aktiviteteve që po zhvillohen nga kjo shoqatë për angazhimin e personave me Sindromën Down në bizneset vendore, tregoi për KultPlus menaxheri i Marketingut nga DSK – Alban Fejza.
“Kartolinat punëdore janë veprimtaria më e hershme e shoqatës Down Syndrome Kosova. Nën drejtimin e punonjësve social, kjo veprimtari ka për qëllim përfshirjen e personave me Sindromën Down dhe përveç punësimit, ka një rol të rëndësishëm në fuqizimin e aspekteve të socializimit dhe krijimtarisë tek personat me Sindromën Down. Përveç kartolinave sot janë edhe qirinjtë. Ideja e këtij bashkëpunimi ka rrjedhur si rezultat i bashkëpunimeve të mëhershme me librarinë Dukagjini por edhe zë pjesë në strategjinë e marketingut ku hyjnë bashkëpunimi me bizneset vendore, që ka për qëllim shtrirjen e shoqatës në treg si dhe angazhimin e personave me Sindromën Down”, thekson Fejza.
Sipas tij angazhimi i personave me Sindromën Down është një motiv shtesë që i bënë me të lumtur personat e angazhuar dhe që sjellë edhe të ardhura për shoqatën e që ndikon pastaj edhe në mirëqenien e atyre që janë pjesë e shoqatës.
Përveç të interesuarve për produktet që shisnin, Aldi Hoxha dhe Linda Dibra patën edhe mysafirë të shumtë të cilët kishin ardhur për t’i vizituar dhe për të parë punën që ata së bashku me miqtë e tyre e kanë krijuar.
Një mysafire e veçantë ishte edhe 23 vjeçarja Medina Surdulli e cila i solli Kosovës medaljen e artë në kategorinë e notit në Lojërat Olimpike Speciale Botërore 2017, të mbajtura në Schladming të Austrisë.
“Sot kam ardhur për të vizituar disa shokë dhe shoqe të cilët kanë ardhur për të shitur kartolinat e tyre, dhe jam e lumtur që sot ka kaq shumë dashuri këtu”, theksoi ajo për KultPlus.
Të gjithë ata që do të zgjedhin për të uruar të dashurit e tyre me kartolina dhe qirinj punëdore do të kontribuojnë drejtpërdrejtë në qëndrueshmërinë e ofrimit të shërbimeve psiko-sociale brenda shoqatës Down Syndrome Kosova./ KultPlus.com