28 Nëntor, 2017 - 8:12 pm
Fotografët Fahredin Spahija, Bujar Gashi, Arben Llapashtica dhe Arben Islami me fotografitë e tyre që për publikun do të jenë në shitje, sjellin përmes artit fotografik bukuritë dhe veçantitë e Kosovës.
Ekspozita e artit fotografik “Explore Kosovo” që si ide fillestare ishte dhënë nga fotografi Bujar Gashi e pastaj u përkrah edhe nga tre fotografët tjerë ngërthen në vete dy qëllime.
Qëllimi i parë ishte që të krijohej një ngjarje kulturore që do të mundësonte mbledhjen e mjeteve financiare për ti ndihmuar fëmijët dhe të rriturit në nevojë. Mjetet e mbledhura nga shitja e fotografive do të shpërndahen përmes shoqatës angleze “The Ideas Partnership” e cila është një nga mbështetësit e kësaj ekspozite.
Qëllimi i dytë i ekspozitës “Explore Kosovo” është që të promovojë bukuritë dhe veçantitë e Kosovës përmes fotografive të shkrepura nga këta katër autorë të cilat do të ekspozohen në një nga hapësirat e hotelit “Princi i Arbërit” pronari i të cilit është mbështetësi më i madh i këtij aktiviteti kulturor humanitarë me ndihmën e të cilit janë shtypur të gjitha fotografitë e kësaj ekspozite.
Fotografitë e ekspozitës janë kryesisht peizazhe që prezantojnë bukuri nga pjesë të ndryshme të Kosovës.
Ekspozita humanitare “Explore Kosovo”do të hapet me 6 dhjetor 2017, në orën 18.30, në hotelin “Princi i Arbërit” dhe do të jetë ngjarje njëditore. / KultPlus.com