1 Shtator, 2021 - 5:02 pm
Në hollin kryesor të Muzeut Historik Kombëtar u çel sot ekspozita me titull: “Katundet arbëreshe”. Kjo ekspozitë pasqyron shpirtin arbëresh, i cili dëshmon përkatësinë e vet etnike.
Ekspozita, e cila do të qëndrojë një javë e hapur, është përfytyruar, duke menduar gjithë shqiptarët në botë, me dëshirën për të njohur gjakun e kombit shqiptar të shpërndarë në luftëra të shumta.
Risi e kësaj ekspozite janë 2 libra, që ekspozohen për herë të parë:1-“Saggio di Grammatologia Comparata sulla lingua”, me autor Dhimitër Kamardrën.2-“Canti tradizionali ed altri saggi delle colonie”, me autor Zef Skiroin. Gjithashtu përbën risi një brez metalik që vjen nga Hora e Arbëreshëve me një paftë ku paraqitet Shën Gjergji hipur në në kalë.
Drejtori i Muzeut Historik Kombëtar, Dr. Dorian Koçi, në fjalën e tij tha se: “Në këto ditë të trashëgimisë kulturore në të cilat ne synojmë nxitjen dhe zhvillimin e aktiviteteve promovuese kjo ekspozitë të nxit dhe të shtyn në gjurmime të tjera historike e etnografike mbi bashkësitë arbëreshe, origjinën e veshjes, modifikimet që kanë ndodhur etj.”
“Katundet arbëreshe në Itali filluan të formohen në shek. XV dhe formimi i tyre u plotësua në shek. XVIII. Kolonitë arbëreshe mbëritën në Itali në valë të ndryshme duke sjellë në mërgim, bashkë me gjuhën amtare edhe kostumet e traditat kulturore në kohën e mërgimit. Këtë pasuri shpirtërore arbëreshët e kanë ruajtur gjithmonë me këmbëngulje deri në ditët e sotme. Arbëreshët bashkë me emrin e tyre të vjetër etnik që e morën nga mëmëdheu, ruajtën edhe kultin e Heroit Gjergj Kastrioti-Skënderbeu. Këto grupe të popullsisë arbëreshe nuk u shkrinë dot me popullsinë vendase, por ruajtën dhe lartësuan me krenari identitetin etnik origjinal që ka ardhur përtej shekujve në forma të shumëllojshme, duke e shprehur në jetën e përditshme, në shprehjet artistike, traditat gojore dhe letrare”.
Kjo ekspozitë do të qëndrojë rreth 1 javë e hapur, por që sigurisht ne do të mundohemi që nëpërmjet kontakteve që kemi me shkollat 9-vjeçare, apo dhe me shkollat e mesme të arrijmë të bëjmë të mundur biseda të ndryshme gjatë kësaj kohe, për të njohur më mirë botën arbëreshe nga ana e brezit tonë të ri” përfundoi drejtori Koçi. / KultPlus.com