12 Gusht, 2017 - 11:02 am
Fotografitë: N. Cahani
Fshati Kukaj është vendi nikoqir i festivalit Etnofest, ku edhe këtë si herëve të tjera, vendi kishte marrë pamje artistike i mbushur me vepra nga më të ndryshmet, duke dashur kështu që dashamirëve të artit që ishin prezentë në hapje të festivalit, të ju ofrohet më e mira, shkruan KultPlus.
Edicioni i shtatë i Etnofest, mblodhi një numër të madh të njerëzve në ambientin ku përherë merr frymë ky festival kulturor.
‘Hasjanet’ e Destan Gashit, artistit nga Vjena e Austrisë, kishin zënë vend në këto hapësira dhe po merrnin vëmendjen e njerëzve. Por jo prapa mbetnin edhe pikturat e Barbara Gashit – “Hasjanet”, por edhe skulpturat e Luan Mulliqit, po ashtu “Hasjanet”.
Të ftuarit pasi mund të qarkullonin në këto pjesë e të njiheshin me ‘Hasjanet’ e këtyre artistëve, tashmë prisnin edhe fillimin e programit të këtij edicioni, e që gjithçka nisi me Ansamblin etno-kulturor “Katarina Josipi” nga Zymi i Hasit.
Ky ansambël bëri një hapje me vlera kulturore dhe artistike duke dëshmuar që tradita e vendit tonë është një vulë e pashkelur.
Këngë, rite e valle nga tradita shqiptare morën jetë në këtë ambient në fshatin Kukaj ku gjithçka vinte ende më bukur se zakonisht.
Me një perfomancë të shkëlqyer u prezantua edhe Grupi “Melodia e Vjetër” të cilët u përkujdesen për gjithë vizitorët e Kompleksit ETNO Village.
Ky edicion do të jetë tejet i pasur në aspektin cilësor dhe vëllimor që do të shtrihet në nëntë shtylla programore. Etno Fest i cili u hapë mbrëmë, do të zgjasë deri më 3 shtator. / KultPlus.com