14 Qershor, 2021 - 1:48 pm
Era Berisha
Ndonëse, stresi dhe idetë e paarritshme kanë qenë prezente pothuajse çdo herë, këmbëngulja dhe vetëbesimi janë dy ndjenja që dominojnë në punën e saj të cilën ajo e sheh si një vlerë të madhe ku çdo sakrificë dhe sfidë harrohet lehtësisht kur në fund vëren suksesin e saj në punë e sidomos me koleksionin e saj të fundit që për karakteristikë ka ngjyrat e forta dhe detajet finesë të punuara me dorë, shkruan KultPlus.
Detajet si rol kyç në fushën e saj, konsiderohen një diferencë e lartë mes modeleve të ndryshme dhe stilit personal të veshjeve prandaj edhe nuk është aspak e vështirë që detajet të mbizotërojnë kur ato janë në vendin e duhur. Përveç detajeve dhe siluetave, në koleksionin e saj të fundit që dallon shumë nga stili i zakonshëm i saj me të cilën jemi mësuar ta shohim, vërehet një ndryshim i madh për sa i përket ngjyrave ku ajo e kuqja, indigo dhe portokalli përplasen fuqishëm në veshje të cilat shfaqen si një bombë e ngjyrave. E kjo në fakt është një ndryshim i madh për Kikën sepse ajo për herë të parë ka shfaqur një anë të sajën që nuk është parë më herë, për arsye se ajo anon më shumë në ngjyrat pastel.
Një pikë tjetër e fortë e këtij koleksioni si një veçanti e radhës janë edhe ‘headpieces’, që njëkohësisht me ngjyrat e ndezura, vijnë për herë të parë e të cilat janë të punuara me dorë. Ndërsa, koleksioni numëron gjithsej 10 veshje apo fustane të cilat përafërsisht kanë marrë kohë rreth 1 deri në 2 muaj ku intensiviteti nuk ishte i pranishëm për shkak se puna e ngadaltë ka sjell një punë të cilën Kika e ka dëshiruar që herët për të parë fundin total të koleksionit.
Në një intervistë për KultPlus, disenjatorja Nadira Kika, ka shpalosur edhe detajet që mbizotërojnë në të gjitha koleksionet e saj.
“Kryesisht janë: ngjyra kuqe, kaltër, portokalli dhe hiri. Nuk kam ndonjë ngjyrë që shihet më pak në dizajnet e mia por për sa i përket koleksioneve të mia, ngjyrat e kuqe janë ato që i përdori më pak sepse është një ngjyrë që nuk më inspiron dhe nuk e gjej veten”, thotë Kika.
Sipas saj, fillimisht, është një koncept mbi të cilin ajo bazohet ku ekziston një ‘moodboard’ me të cilën janë ngjyrat, format dhe detajet që atë e frymëzojnë. Kështu që nga ai moodboard procesi i saj vazhdon me skicim pastaj vazhdon me përzgjedhjen e materialeve deri në realizimin e skicave.
“Për të gjithë ata që e përcjellin stilin tim me siguri kanë parë dy lloje të stileve gjatë këtij rrugëtimi, unë gjithmonë mundohem t’i mbaj dy llojet e stilit si: “Ready to wear” dhe “Pret-a-couture”, ku njëri është me veshje të përditshme dhe tjetri është me fustane elegante. Kurse, porositë e klientëve janë kryesisht ato çka ne i postojmë në rrjete sociale, ndonjëherë me ca ndryshime në bazë të linjave trupore”, thotë Kika.
Për Kikën, njëra ndër porositë të cilën ajo do e veçonte do të ishte ajo e një gruaje e cila ka pasur kancer të gjirit e një punë kjo me të cilën Kika ka punuar me shumë delikatesë, dashuri dhe ndjeshmëri. Kurse, si njëra ndër vështirësitë më të mëdha, ajo përmendi njohjen e targetit me të cilin ajo punon. Koha dhe përkushtimi për të gjetur targetin e duhur janë dy pikat kryesorë që kanë shënuar vështirësinë e madhe në punën e saj.
Ajo tutje ka folur rreth specialitetit me të cilën dallohet nga të tjerët në fushën e saj, e për çka ajo mundohet të sjell çdo herë diçka më unike.
“Fillimisht, unë mendoj se stili im personal e bënë diferencën mes meje dhe dizajnerëve të tjerë. Llojet e materialeve me të cilat unë punoj dhe i sjell, mundohem që çdo herë të jenë më unike, e po e njëjta vlen edhe për çmimet e ndryshme. Gjithashtu, besoj se jam njëra ndër dizajneret e pakta që i mban dy linja njëkohësisht, atë me veshje të përditshme dhe atë me fustane elegante”, përfundon Kika për KultPlus.
Ndërsa, synimet e saj për të ardhmen përfshijnë së paku një apo dy koleksione brenda këtij viti, kurse momentalisht ajo është duke punuar në disa plane afatgjate për sa i përket tregut ndërkombëtarë. Në ndërkohë, të pasionuarit pas veshjeve diversive, detajeve unike qoftë në veshjet e përditshme apo edhe solemne si dhe pas ngjyrave të llojllojshme, mund ta ndjekin punën e disenjatores Nadira Kika. / KultPlus.com