12 Tetor, 2018 - 5:10 pm
Në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës “Pjetër Bogdani”, të hënën, do të hapet ekspozita “Jeta dhe kohërat e Gjergj Kastriotit – Skënderbeut, Heroit Kombëtar Shqiptar”, e koleksionit të Librave Antikuar të koleksionistes së njohur britanike, Patricia Nugee.
Ekspozita organizohet nën patronatin e Zyrës së Sekretariatit të Qeverisë për Vitin Mbarëkombëtar të Gjergj Kastriotit – Skënderbeut dhe Bibliotekës Kombëtare të Kosovës “Pjetër Bogdani”.
Patricia Nugee, në vitin 2004, ia dhuroi Bibliotekës Kombëtare të Kosovës librin e Marin Barletit “Jeta dhe Vepra e Skënderbeut” të vitit 1533, i cili njëherësh është edhe libri më i vjetër në bibliotekë.
Patricia Nugee ka filluar koleksionimin e librave për Skënderbeun 30 vjet më parë. Sot, në koleksionin e saj i ka rreth 500 ekzemplarë, të cilët i ka prezantuar në disa kryeqytete të Evropës.
Ceremonia e hapjes do të bëhet në hollin e ekspozitës së bibliotekës më 15 tetor, në orën 10:00. / KultPlus.com