22 Prill, 2018 - 9:08 pm
Gili Hoxhaj
Në lagjen Ulpiana, tek ish-banesat e YU Programit, tash e disa vite një grup piktorësh zhvillojnë art, aty ku edhe janë pozicionuar me atelietë e tyre. Këtë të diele, ata janë mbledhur në një lokacion të vetëm, për të krijuar një koloni të vogël artistike që ka për qëllim të ofrojë vetëdijesim që edhe në Kosovë si në shumë shtete të tjera, ekziston një rrugë ku zhvillohet arti pamor.
Sot në Ditën Ndërkombëtare të Tokës, piktorët e shtatë atelieve janë bashkuar në një vend të vetëm, ndërsa rreth tyre qëndronin piktura të stileve të ndryshme, përmes të cilave edhe kanë zbërthyer emocionet e tyre të brendshme. Qëllimi i këtij aktiviteti ishte që tashmë ata që e duan artin pamor dhe ata që duan të mësojnë më shumë rreth tij, ta kenë një pikëtakim, për të mësuar nga përvoja këtyre piktorëve. Krahas kësaj, ky event u përcoll edhe me muzikë, ushqim dhe pije, e gjithë kjo me vetfinancim të artistëve për ta realizuar synimin e tyre të vetëm, që të sjellin një rrymë të re në kryeqytet.
Aritstët që kanë ekspozuar sonte punën e tyre në këtë koloni të artit janë: Merita Maloku, Agron Mulliqi, Mentor Avdili, Bardha Buza, Anton Krasniqi, Driton Gusia, Afrim Spahiu, Artan Shala, Artan Kyqyku, Rilind Kabashi, Shpetim Mehmeti, Engjell Berisha, Ariana Bekteshi.
Punimet e Agron Mulliqit janë zbërthim i stilit të tij të veçantë, e punimet e tij bijnë lehtë në sy. Ai tha se kjo ide ka lindur pasi që ata si kolegë, një pjesë të madhe të ditës e shpenzojnë së bashku, ndërsa shtoi se shpreson që aktivitete të tilla të përsëriten dhe në të ardhmen dhe të mbledhin sa më shumë vizitorë pasi që piktura është një nga elementet kryesore në art dhe kjo është një mundësi e mirë që të takohen me vlerat e piktorëve kosovarë.
“Duke qenë se gjatë gjithë kohës jemi së bashku, në bazë të komunikimeve e diskutimeve të ndryshme vendosëm që të bëjmë së bashku që kjo pjesë të identifikohet si një rrugë e artistëve sic është Montmartre në Paris”, tregoi piktori Agron Mulliqi.
Bardha Buza është një emër tjetër, jo dhe pak i njohur për artin kosovar. Vizitorët patën rastin që t’i shohin edhe punimet e saj e ta takojnë atë nga afër. Ajo tregoi për KultPlus se deja për ta sjellë këtë aktivitet për Ditën e Tokës ishte në mënyrë që ta bëjnë edhe një pastrim dhe ta shndërrojnë edhe si në një lloj feste.
“Këtu jemi bërë pothuajse tetë atelie dhe kjo iniciative është një nxitje për njerëzit e thjeshtë që ta dinë një vend që të takohen me piktorët dhe t’i vizitojnë atelietë tona”, tregoi piktorja Buza.
Ariana Bekteshi është një nga emrat më të rinj në mesin e këtyre piktorëve, e që tanimë zotëron edhe atelien në këtë lagje. Puna e saj karakterizohet nga stili realist i përzier me surealizëm dhe ekspresionizëm, ndërsa në qendër të punimeve të saj është femra, e cila është e punuar më shumë delikatese dhe çdo element në imazhin e saj, piktorja Beka e zbërthen në një kuptimësi.
Ariana Bekteshi tregoi se kjo është iniciativa më e mirë që kanë marrë deri më tani edhe për faktin se piktorët mund të ndajnë mendimet dhe pikë vështrimet e tyre edhe me njerëz që nuk i përkasin fushës së pikturës.
“Gjithmonë ka pasur koloni të tilla që na kanë thirr në qytete të Shqipërisë por jo dhe tek ne, këtu është punuar por prapë nuk ka qenë atmosfera si kjo që është krijuar sot, ku ka atelie të piktorëve ku secili e ka hapësirën dhe krijimtarinë e vet dhe mund të hysh në atelienë e secilit dhe të njoftohesh me karakterin e secilit piktorë”, tregoi Ariana për KultPlus, duke shtuar se shpreson që aktivitete të tilla do të vazhdohen edhe më tutje, duke ftuar edhe artistë të cilët nuk punojnë në këtë dilemë. Beka tregoi se kjo veçmas është një mundësi e mirë e takimit të njerëzve të thjesht me piktorët, në mënyrë që edhe të çmohet edhe arti i tyre.
Një nga vizitorët e kësaj ekspozite, Hekuran Sokoli tha për KultPlus se kjo është një iniciativë mjaft e mirë e cila vlen të përkrahet nga i gjithë komuniteti.
“Kjo është një iniciativë e artistëve që kanë qëlluar në një lagje dhe kanë vendosur që ta hapin një ekspozitë duke e ekspozuar punën e tyre dhe mendoj që shoqëria civile duhet të jetë më e interesuar për aktivitete të tilla në mënyrë që të njoftohen me punën e artistëve”, u shpreh Hekuran Sokoli.
Po ashtu sonte u hap edhe ekspozita me pikturat e Driton Gusisë në Qendrën Sociale “Sabota”, ekspozita përmban gjithësej 17 punime. / KultPlus.com