12 Shtator, 2018 - 4:58 pm
Veprimtaria e Kolonisë së Piktorëve Figurativë të organizuar nga Instituti i Librit dhe i Promocionit në qytetin piktoresk të Ulqinit, nis sot dhe vazhdon deri më 16 shtator.
Kjo Koloni realizohet për të tretin vit, që nga 2014-a, falë bashkëpunimit të frytshëm të Institutit të Librit dhe të Promocionit – Tiranë dhe Komunës së Ulqinit, përfaqësuar nga Organizata Turistike e Ulqinit.
Në këtë Koloni marrin pjesë rreth 40 piktorë nga rajoni i Ballkanit: Shqipëria, Mali i Zi, Kroacia, Bosnja dhe Hercegovina, Shkupi, Serbia, të cilët do të vizitojnë qytetin e Ulqinit dhe rrethinat, si një ndër vendet më të frekuentuara dhe ndër pikat më të rëndësishme turistike të rajonit, që zotëron një pasuri të madhe historike-kulturore me arkitekturë romake, gotike dhe orientale. Masivet malore dhe kodrinore, si dhe fusha pjellore, në juglindje dhe lindje të qytetit, do të mund të krijojnë një fushëpamje mbresëlënëse për piktorët figurativë, të cilët do të hedhin në telajo muzën e tyre të frymëzimit.
Kolonia do të finalizohet me hapjen e një ekspozite të punëve të realizuara gjatë kohëzgjatjes së saj, pasditen e të shtunës, më 15 shtator 2018.
Tashmë, Kolonia e Piktorëve është kthyer në një shkollë më vete, ku çdo artist jo vetëm shpreh talentin e tij, por rritet artistikisht e fiton eksperienca të reja.
E zhvilluar jashtë territorit të Shqipërisë, kjo Koloni, me veprimtarinë e vet intensive 4-ditore, rrit bashkëpunimin mes artistëve të rajonit tonë me qëllim promocionin e vlerave më të mira arkitekturore, të peizazhit të veçantë, por edhe të punës artistike të vetë artistëve pjesëmarrës./KultPlus.com