24 Korrik, 2018 - 8:46 pm
Dhjetëra aktivistë për mbrojtjen e të drejtave të kafshëve protestuan të martën në Prishtinë para Galerisë Kombëtare të Kosovës, në kundërshtim të ekspozitës “Tetë lopë Kosove” të artistit kosovar Sislej Xhafa, i cili për një vepër artistike i mbajti të mbyllura tetë lopë në një ahur të improvizuar në hapësirat e galerisë.
Por në përfundimin e protestës aktivistët nuk u lejuan nga Policia e Kosovës që t’i vendosnin pankartat që kishin përgatitur në kundërshtim të ekspozitës dhe keqtrajtimit të kafshëve.
“Sis’lej Baglat”, “Galeria e Ahurit”, “Stop qasjes antopocentrike” dhe parulla të tjera të aktivistëve nuk u lejuan të ngjiteshin në muret e ahurit të improvizuar, pasi Policia e Kosovës paralajmëroi arrestimin e tyre nëse do vepronin ndryshe.
“Unë e thash atë çka duhet me u respektu. Ty nuk ta ndaloj me i vendos ato, mirëpo pasi e kryn kundërvajtjen vjen me ne në stacion”, i drejtohet polici njërit prej aktivistëve që dëshiron të vendos pankartat në murin e ahurit të improvizuar.
E pas paralajmërimit të policëve, aktivistët u tërhoqën, por megjithatë pankartat e tyre i vendosën në pjesë të tjera të hapësirave në oborrin e Galerisë Kombëtare të Arteve. / KultPlus.com