31 Gusht, 2019 - 4:00 pm
Teksa përpiqet të ndreqë dantellat e një fustani rozë, të grirë nga koha, asaj i duket sikur dëgjon zërin e ëmbël të Drita Pelinkut, teksa e mbulonte me ledhe: “E ëmbla ime, e vogla ime”! Koralda Priftit i rrëmbushen sytë me lot. U bënë 27 vjet që punon në Teatrin Kombëtar. Ka kaq shumë kujtime, e megjithatë pasionin për punën e ruan si të ishte dita e parë.
Kur kalonte përpara Teatrit Kombëtar dhe shihte aktorët tek bisedonin me pasion për shfaqjet apo një ngjarje dite, ajo thoshte me vete: O Zot, a do të mundem një ditë të punoj me këta njerëz?! Ajo u rrit me dashurinë për teatrin. Daja i saj, Vangjush Furxhi, nuk reshte së foluri për teatrin dhe imagjinata e saj lëvizte mes skenës dhe veshjeve farfuritëse të aktorëve. Ajo nuk e fsheh se ishte daja i saj, asokohe zëvendësministër i Kulturës, që hodhi një fjalë tek drejtori i Teatrit, Robert Ndrenika. Por edhe për mbesën e mikut, ky i fundit nuk bënte lëshime: Do të ishte në provë për 6 muaj, si garderobiere. Ishte viti 1992.
E kujtoj fare mirë shfaqjen e parë, për të cilën duhet të punoja. Ishte ‘Rikardi III’, me regjisor Agim Qirjaqin, një shfaqje e madhe me rreth 50 aktorë. Isha fare e re dhe nuk ia dija sekretet punës. Kisha parë vetëm se çfarë ndodhte në skenë, por jo pas kuintash. Më mbajti shumë pranë shefja e Financës, Ludmilla, që më mësoi radhën e punës, se si funksiononte kur vinin dhe kërkonin rroba nga garderoba. Por i jam shumë mirënjohës edhe Ndrenikës për mundësinë që më dha. Në atë 6 mujor do të varej e ardhmja ime. Ishte një periudhë e vrullshme, gjatë së cilës duhet të tregoja se çfarë mund të bëja. Mund ta quaj fat, edhe pse me shumë lodhje, faktin që kolegia ime mori lejen e lindjes, që zgjaste plot 6 muaj. Puna fliste vetë… Kështu nisa punë në Teatrin Kombëtar”, tregon Koralda Prifti, që sot është njeriu më i dashur për çdo aktor. Në fund të fundit, shkëlqimi i tyre në skenë, varet pikërisht nga duart e Koraldës. Është ajo që merret me veshjet e tyre, që të jenë të pastra, të hekurosura, që të mos u mungojë asnjë kopsë, që të jenë në vendin e duhur, në kohën e duhur.
“Puna ime është e lidhur ngushtë me kostumografin. Sa herë që vihet një premierë, kostumografi kontakton me mua, për të mësuar se çfarë disponon garderoba nga veshjet që atij i duhet. Sigurisht varet nga periudha, së cilës i përket vepra, por edhe koncepti i regjisorit dhe kostumografit. Mund t’i duhen pelerina, cilindra, këmisha… Më herët, kur në Teatër punonin Agim Zajmi e Shaban Hysa, garderoba është shfrytëzuar mjaft, por rrobat konsumohen me kalimin e kohës, përpos faktit që kohërat kanë ndryshuar dhe ka nevojë të qepen gjëra të reja. Kohëve të fundit kam bashkëpunuar me kostumografet Berina Kokona dhe Laedja Hajdari, që realizojnë kostume shumë të bukura, duke pasuruar garderobën. Pasi janë përcaktuar veshjet e aktorëve unë ua vendos nëpër kabinat e zhveshjeve. Pas shfaqjeve marr të gjitha rrobat dhe çoj për pastrim ato që kanë nevojë. Një proces që unë e bëj pa dallim si për aktorët kryesorë ashtu edhe për figurantët. Dua që aktorët të shndrisin të gjithë, që nga koka, deri te këmbët dhe shpesh ata qeshin me mua, sepse u dukem si ‘nënë me shumë fëmijë’, -tregon ajo duke qeshur.
Puna e saj nuk ka orar. Ditëve të shfaqjeve, i ndodh që mesnata ta zërë pas kuintash, duke sistemuar dhe përgatitur garderobën për të nesërmen. Ajo duhet të ketë gjithçka nën kontroll. Ndoshta askush nuk e di se çfarë rëndësie ka puna e saj gjatë shfaqjeve, dhe çfarë tensioni mbart ajo. Ajo i është falenderuese aktorëve për bashkëpunimin, por edhe familjes së saj, që nga prindërit që i ushqyen dëshirën për punë, tek bashkëshorti dhe vajza, që janë mbështetës dhe mirëkuptues për orët e saj të gjata në punë.
“Është një punë që kërkon shpejtësi dhe vëmendje. Ndodh që aktorët të kenë disa ndërrime veshjesh gjatë shfaqjes, ndaj duhet të jesh sa më e shpejtë, përndryshe atij do t’i ikë batuta. Para se të fillojë shfaqja kontrolloj të gjitha veshjet, nëse kanë ndonjë problem, pasi nuk dua që të ndodhë, që në momentin e fundit aktori të zbulojë se e ka zinxhirin e prishur apo i mungon një kopsë. Por na kanë ndodhur edhe incidente ndaj shfaqjeve. Aktorit Bes Bitraku i janë shqepur pantallonat gjatë shfaqjes ‘Vanja, Sonja, Masha dhe të tjerë’, mu desh t’ia kapja me paramanda. Por të nesërmen i kishte të qepura, të lara, të hekurosura”.
Koralda nuk e ka llogaritur asnjëherë lodhjen. Për të ka qenë kënaqësi të punonte mes njerëzish të shquar, t’i njihte nga afër, të mësonte prej tyre, të ndante momente gëzimi e trishtimi, edhe pse në kushte shumë të vështira. Ambientet e vjetra të Teatrit Kombëtar, nuk i jepnin shumë mundësi t’i ruante rrobat si ajo do të donte, megjithatë ajo përpiqej të bënte maksimumin. “zotësi është të dish të mbash një kasolle, se vilën, dinë të gjithë”, thotë ajo, pa e fshehur krenarinë për punën e bërë në gati 3 dekada.
“Kam pasur fatin të punoj me të gjitha brezat, me Kadri Roshin te “Inspektori”, e Sulejman Pitarkën te “Pjata prej druri”, me Drita Pelinkun, Margarita Xhepën, Violeta Manushin, për të vijuar me Bujar Lakon, Ndriçim Xhepën, Bujar Asqeriun, Yllka Mujon, Luiza Xhuvanin etj., për të arritur deri te studentët, të cilët i kam ndihmuar me sa kam mundur dhe kam marrë pas edhe kënaqësi. Në fund, ajo çka mbetet është mirënjohja”, thotë ajo.
Prej 27 vitesh ajo është kthyer në gardianen e thesarit të Teatrit Kombëtar. Kështu e quan ajo garderobën, ku thotë se ruhen veshje që nga “Cuca e maleve”. Ka kaq shumë veshje, që duket sikur ruajnë brenda tyre shpirtrat e personazheve, që i kanë veshur. Dhe ajo kujdeset që t’i ruajë, të luftojë me kohën. Të gjitha mbartin në vetvete histori. Por siç thotë ajo, pak naftalinë në xhep mund të bëjë mrekullira, të mbajë gjallë veshje që në vitet ’50-’60.
“Kemi veshje ushtarake, veshje priftërinjsh, veshje stofi, të cilat mund t’i grijë mola. Veshje që nga koha kur Drita Pelinku ishte 18 vjeç, deri te shfaqjet më të fundit. Janë veshje pafund, të cilat sot janë paketuar për t’u zhvendosur nga ambientet e godinës së vjetër të Teatrit Kombëtar. I kam vendosur në kuti së bashku me varëset, së bashku me etiketat përkatëse, që të kem mundësi, që atje ku të vendosen, t’i hap sipas shfaqjeve”, shton ajo, me shpresën se do të gjejë ambientet e duhura për garderobën historike të Teatrit Kombëtar.
(Ky profil është marrë nga rubrika e ministrisë së Kulturës që mban emrin “Sekretet e Mjeshtërisë”). z.tosku/ atsh/ KultPlus.com