8 Shkurt, 2024 - 4:30 pm
“Korça në foto” titullohet ekspozita e koleksionistit korçar Mirgen Shamblli, e cila është çelur tek Pazari i Vjetër me foto dhe kartolina nga qyteti I Korçës. Imazhet e rralla të qytetit, datojnë nga vitet `20 deri në vitet `80.
Rreth 800 foto të shkrepura ndër vite pasqyrojnë qytetin dhe jetën në të, pamje dhe disa prej godinave të cilat nuk ekzistojnë më, si zona e Mitropolisë, Shën Gjergji e shumë objekte të tjera.
Kjo ekspozitë e veçantë e cila do të vijojë të jetë e hapur ka ngjallur interes tek qytetarët, për t’u njohur me pamje të ndryshme e për të kujtuar si ka qenë Korça e atyre viteve. Vizitorët do të kenë mundësi të shohin në foto lumin dhe urat e tij, qëndrën e qytetit, parkun rinia, zonën e kinemasë dhe bulevardin, Shën Mërinë, xhamitë e qytetit, stadiumin, pazarin me rugicat etj.
“Korça në foto” do të jetë një cikël me tre ekspozita, gjatë muajit shkurt, i cili nëpërmjet fotografive dhe kartolinave do të nxjerë në dritë imazhet e harruara të qytetit. / atsh / KultPlus.com