27 Nëntor, 2020 - 3:37 pm
Ka vdekur për shkak se ishte infektuar me Covid-19, piktorja e njohur shqiptare, Lumturi Blloshmi.
Mësohet se ajo po luftonte me virusin e rrezikshëm prej tre javësh, pa mundur t’i bëjë ballë.
E krahasuar me Frida Kahlon, Lume Blloshmi mban mbi shpinë 25 vite krijimtari. Ajo njihet si piktorja që lëvroi ndër të parat performancën dhe instalacionin në vendin tonë.
Puna e saj në artin pamor nisi në vitet 1973-1974, një periudhë delikate në artin shqiptar. Lumturi Blloshmi arriti të krijojë dhe t’i shmanget presionit të kohës duke u fokusuar tek peizazhi dhe natyrat e qeta. Në fillim të viteve ’90, Blloshmi kërkoi dhe gjeti një karakter tjetër artistik dhe u bë shumë shpejt pjesë e atyre artistëve që i dhanë frymëmarrjen e parë artit modern dhe postmodern shqiptar përmes performancave dhe instalacioneve.
Lumturi Blloshmi lindi në Tiranë në vitin 1944. U diplomua për pikturë në vitin 1968. Në vitin 1988 çeli ekspozitën e parë personale në Berat dhe po atë vit mori pjesë në Bienalen e Ankarasë (Egjypt). Gjatë viteve ’89-’91, çeli dy ekspozita vetjake në GKA. Midis viteve 1992- 2010 Blloshmi ka marrë pjesë në ekspozita të ndryshme në grup si në Selanik, Madrid, Lion, Budapest, Stamboll, Paris, Zyrih, Gjenevë, Modena, Hag, New York etj. Ishte fituese e konkursit ndërkombëtar “Onufri ’94”.
Vitet e fundit Lumturi Blloshmi u prezantua edhe me ekspozita në disa galeri private në Tiranë, Durrës, apo Korçë. / rita.tv/ KultPlus.com