3 Shtator, 2018 - 9:51 pm
Gjatë muajit shtator 2018, gara më e madhe e fotografisë në botë ‘Wiki Loves Monuments’ do të mbahet në Kosovë dhe Shqipëri.
Wiki Loves Monuments, e njohur nga Libri i Ginesit si gara më e madhe e fotografisë në botë, është konkurs ndërkombëtar i fotografisë i cili mbahet çdo shtator, i organizuar nga Wikimedia dhe filialet lokale të çdo shteti pjesëmarrës. Qëllimi i kësaj gare është që të ftoj fotografët profesionist dhe amator të ngarkojnë fotografi të monumenteve kulturore në Wikimedia Commons, të cilat nën licencën e lirë krijojnë një burim të madh informacioni për kulturën dhe historinë e vendit në internet.
Përgjatë tërë shtatorit kur mbahet Wiki Loves Monuments, fotografët profesionist dhe amator ftohen të ngarkojnë në Wikimedia Commons fotografitë të monumenteve të Kosovës dhe Shqipërisë. Fotografitë duhen të jenë të cilësisë së lartë dhe të ngarkuara nga vetë autori. Përparsi do të kenë objektet jo mirë të mbuluara me fotografi në Wikimedia Commons dhe fotografitë me teknika të reja si pamje nga droni, panorama, pamjet e brendshme të objekteve etj.
Fotografitë e secilit vend do të vlerësohen nga juria profesionale, nga e cila 3 fotografitë më të mirat do marrin shpërblime, ndërsa 10 më të mirat do të nominohen për garën ndërkombtare të Wiki Loves Monuments bashkë me mbi 50 shtete.
Wiki Loves Monuments ka për qëllim pasurimin e Wikipedias, njëkohësisht internetit me informacion për trashëgiminë kulturore të Kosovës dhe Shqipërisë. Si një relikë e së kaluarës, trashëgimia zhvillohet nëpërmjet bashkëveprimit tonë me të, dhe si e tillë ka rol shumë të rëndësishëm për ndërtimin e së ardhmes. Trashëgimia kulturore ka vlerë të madhe për individët, komunitetin dhe shoqërinë që të mbrohet dhe të përcjellet në mes gjeneratash.
Kosova si një shtet i ri, ka nevojë për promovimin e trashëgimisë kulturore në shoqëri, si pikë shtyse dhe inspiruese për zhvillimin e identitetit kombëtar.
Wiki Loves Monuments organizohet nga Grupi i Përdoruesve të Wikimedias në Gjuhën Shqipe dhe mbështetet nga Fondacioni Wikimedia, FLOSSK dhe IPKO Foundation./KultPlus.com