7 Qershor, 2018 - 9:30 am
Vitin e kaluar artistë të ndryshëm kosovarë kishin dhuruar vepra të ndryshme të tyre në koleksionin e njohur “Imago Mundi” në Itali. Pas ekspozimit të tyre në Sarajevë, ato tani janë bërë pjesë e ekspozitës “Join the Dots”, e cila po zë vend në Trieste.
Ky koleksion i pasur me 143 punime i artistëve kosovarë shpalos në njëfarë forme historinë e artit në vend. Veprat janë të realizuara gjatë një shekulli. Në mesin e tyre ka piktura, fotografi e instilacione. Disa prej artistëve më reprezentativë të Kosovës si: Nysret Salihamixhiqi, Alije Vokshi, Rexhep Ferri, Musa Kalaveshi, Eshref Qahili, Isa Alimusaj, Ismet Jonuzi, Adem Rusinovci e të tjerë, janë pjesë e këtij koleksioni që quhet “Small is Beautiful: contemporary artists from Kosovo” (E vogla është e bukur: artistët bashkëkohorë nga Kosova).
Në koleksion janë edhe fotografi të Hazir Rekës, Jetmir Idrizit e Majlinda Hoxhës, sikurse edhe ato në teknika të ndryshme të trendëve të fundit, të artistëve të gjeneratës së re, si: Rudina Xhaferi, Dardan Zhegrova e artistit të njohur si Tadi.
Ato vepra i janë bashkuar edhe 39 koleksioneve të tjera të artistëve nga shtete të ndryshme, shkruan Koha Ditore./ KultPlus.com