29 Mars, 2019 - 1:00 pm
Alberina Haxhijaj
Historia prapa Pavilionit të Kosovës të titulluar “Albumi familjar” ka filluar kur artisti Alban Muja ka shfletuar albumin e tij familjar. Ai 20 vite me parë ka qenë një refugjatë i cili ka jetuar në një kohë krize. Tashmë si përfaqësues i këtij Pavilionit, përmes video-instalacionit ku në qendër janë katër personazhe, ai po rikthehet prapa në atë kohë.
Sipas komisionerës së Pavilionit Arta Aganit, ky rikthim gërshetohet me temën e Ekspozitës së Bienales së Venedikut “Të rroni në kohëra interesante”, si ekuivalent i një mallkimi të lashtë kinez në të cilin i dëshirohet dikujt që të jetoj në kohë interesante që kanë të bëjnë me pasiguri, krizë dhe jostabilitet. E sipas saj, kjo ndërlidhet shumë me kohën në të cilën jetojmë ne sot.
“Artisti Alban Muja është një artist i cili ka një karrierë të gjatë, veprimtaria e të cilit bazohet në hulumtimin e fenomeneve shoqërore të cilat pastaj bëhen diskutim përmes storieve individuale. Shpesh Albani është vet protagonistë i këtyre storieve dhe me këtë është artisti ideal i cili do të na përfaqësojë në Bienale”, u shpreh Agani.
Në Pavilionin e Kosovës, Muja do të paraqesë një video instalacion, përmes të cilit eksploron kujtimet personale dhe kolektive të luftës në Kosovë (1998-1999).
Kuratori i Pavilionit të Kosovs Vincent Honoré, njëkohësisht edhe drejtor i ekspozitave të MOCO, Montpellier CONTEMPORAIN, u shpreh se e rëndësishme për këtë Pavilion do të jenë emocionet që do të ngjallen tek vizitorët. Sipas tij, ndërtimi i Pavilionit do të bëhet në atë mënyrë që njerëzit të cilët do e vizitojnë do të largohen me një ndjenja emocionale dhe estetike.
“Dëshirojë që të ju sigurojë që Pavilioni i Kosovës këtë vit do të jetë në mesin e Pavilioneve më të mira në Venedik. Kemi punuar me Albanin që disa muaj dhe kemi zhvilluar një koncept i cili do të paraqes disa çështje. Do të jetë një lidhje e historisë së përgjithshme për luftën e fundit në Kosovë, me histori personale. Do të jetë një adresim bazuar në histori të vërtetat kundrejt historive artistike, do të jetë po ashtu një prezantim i arkivës personale të artistit dhe historive familjare të tij. Puna ka të bëjë me krizën, mirëpo po ashtu është për historitë personale. Puna është një video-instalacion i cili do të sjellë tre portrete, tri video të cilat do të jenë një eksperiencë emocionale”, u shpreh Vincent Honoré i cili tha se për herë të parë artisti po adreson direkt çështjen e shtetit të tij.
“Është një punë shumë personale dhe shumë e rëndësishme për artistin. Me shumë mundësi do të shënojë edhe një tranzicion për artistin, në mes të asaj që ai ka bërë më herët dhe asaj që ai do të adresojë me vonë”, theksoi ai.
Projekti i Mujës fillon me një përzgjedhje fotografish të marra nga fëmijët refugjatë gjatë luftës, imazhe të cilat janë botuar në gazetat dhe faqet e lajmeve në mbarë botën dhe janë bërë sinonim me luftën, dhe emblemë e kaosit, traumave dhe dhimbjes të cilat i janë komunikuar publikut ndërkombëtar. 20 vjet më vonë, Muja ndjek gjurmët e këtyre individëve, tani të rritur. Sipas artistit Alban Muja është e rëndësishme që këto histori të ndahen me të tjerët në kë rast vizitorë e Bienalës.
“20 vite me parë edhe unë kam qenë njëri nga refugjatët i cili ka pasur një të kaluar si shumica prej njerëzve në Kosovë dhe kemi besuar që ana humane e ngjarjeve që kanë ndodhur në Kosovës gjatë viteve 98-99 duhet me u tregu dhe u nda me një audiencë shumë të madhe siç është ajo në Venedik. Kemi vendosur që në një mënyrë me u tregu ngjarjet para 20 viteve që kanë ndodhë nëKosovë, përmes një projekti multimedial pa dashur me e diskutu anën politike, mirëpo gjithmonë pjesën humane. Ne nuk do të themi që ndoshta nuk ka diçka që mundet me u diskut aty edhe në anën politike, por ana humane është ajo që na ka interesuar neve me e nda me publikun”, u shpreh artisti Alban Muja.
Republika e Kosovës merr pjesë në Bienalen e Venecias me një pavijon kombëtar që nga viti 2013. Prezantimet e mëparshme përbëheshin nga prezantimet solo të punimeve të Petrit Halilaj (2013), Flaka Haliti (2015) dhe Sislej Xhafa (2017). Ministri i Kulturës Kujtim Gashi u shpreh se si ministër që dy vite ka rikthyer pjesëmarrjen e Kosovës në Bienale pasi që e konsideron këtë ngjarje jashtëzakonisht të rëndësishme për promovimin e Kosovës.
“Artistët tanë po e promovojnë shtetin tonë më së miri nëpër ngjarje kulturore dhe janë pikërisht artistët të cilët po e bëjnë punën e sektorëve të tjerë, përkatësisht të ministrive dhe të atyre që janë kompetent për të promovuar shtetin siç janë ambasadat dhe ministria e jashtme. Jam shumë i lumtur që si ministër e kam përzgjedhur një artist që është i dëshmuar dhe besoj që kemi bërë një përzgjedhje shumë të mirë”, u shpreh ai.
Hapja e Pavijonit të Kosovës në Ekspozitën e 58-të Ndërkombëtare të Artit – La Bienale di Venezia do të bëhet më 11 maj 2019. Kjo ekspozitë do të përfundojë më 24 nëntor, 2019./ KultPlus.com