30 Nëntor, 2021 - 4:38 pm
192 Pavijone të vendeve të ndryshme të botës janë bërë bashkë në një vend. Po prezantojnë arritjet dhe pasuritë kombëtare në Dubai, në një hapësirë ku historia dhe e ardhmja bëhen bashkë dhe turistë nga gjitha bota mblidhen për të parë inovacionet më të reja, kulturën dhe traditat e shteteve pjesëmarrëse.
Për herë të parë këtë vit, në këtë vend po prezantohet edhe shteti ynë.
Një pjesë e madhe e Pavijonit të Republikës së Kosovës rrëfen historinë tonë përmes artit, kulturës, trashëgimisë kulturore dhe sportit.
Ndër të tjera ekspozita përmban koleksionin e veprave artistike origjinale të artistëve tanë më të njohur dhe artefaktet origjinale nga fondet e çmuara shtetërore, ai i Galerisë Kombëtare të Kosovës dhe Muzeut Kombëtar të Kosovës. Ekspozimi i tyre dëshmon qytetërimin e lashtë të vendit tonë ndërsa vazhdon me të ardhmen, ku shfaqen xhudistët tanë olimpik e artistët me famë botërore, si Rita Ora, Dua Lipa, Shkëlzen Doli e shumë të tjerë.
“Jemi shumë të kënaqur që Republika e Kosovës po prezantohet para botës edhe përmes aktiviteteve tjera në këtë ekspozitë, siç është turizmi, bukuritë natyrore, energjia dhe shumë sektorë të tjerë me rëndësi për vendin.
Ndërtimi dhe funksionalizimi i Pavijonit u mundësua nga Emiratet e Bashkuara Arabe dhe organizimi i Pavijonit të Kosovës u arrit pas një koordinimi ndërministror, nën administrim të MINT“, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit. / KultPlus.com