24 Tetor, 2020 - 9:03 am
Suada Qorraj
Gazetares Antonela Rihe i ishin mbushur sytë me lot teksa dëgjonte panelistin e debatit ‘Kosova – trashëgimia e kujtesës’, Durim Abdullahu, kur shpjegonte se një ndër vendet ku do të përfundonte rrugëtimi i tij, bërë një të huaji, është pikërisht Meja e Gjakovës, hapësirës që mbanë historinë e frymës së fundit të mbi treqind personave shkruan KultPlus.
“Ndoshta vendi i fundit ku do ti dërgoja është në Mejë të Gjakovës, vendi ku është bërë masakra më e madhe e luftës së Kosovës, mbi 300 shqiptarë janë vrarë ndër tjera pas një përpjekje për me i konfliktu mes njëri tjetrit, pasi po flasim për një zonë të banuar me shqiptar katolik dhe mysliman”, ka theksuar profesori universitar Abdullahu.
Vendet mbi të cilat ndërtohet kujtesa janë më shumë sesa vetëm vendndodhje gjeografike ngase ato shërbejnë si bazë për ndërtimin e identiteteve kolektive. Ajo që ne zgjedhim të kujtojmë, ose më saktë, të harrojmë, neglizhojmë dhe heshtim, flet shumë për të tashmen në të cilën jetojmë dhe për vizionin e së ardhmes që dëshirojmë të ndërtojmë.
Për Korab Krasniqin projektuesin e projekteve në organizatën Forum ZFD në Kosovë ideja për diskutimin e kujtesës është e rëndësishme sepse hapësirat tona publike janë të mbushura me monumente që komunikojnë nëpërmjet ideologjive të ndryshme.
“Ideja pse diskutimi për kujtesën është e rëndësishme për arsye se hapësirat tona publike janë të mbushura me monumente edhe hapësira që komunikojnë me ne ideologji të ndryshme, histori të ndryshme edhe provojnë që të na tregojnë një rrëfim për të kaluarën edhe shpesh këto hapësira për shkak të politikave dominante edhe interesave të ndryshme të grupeve të caktuara mund të paraqiten në atë mënyrë të cilat mund të jenë ekskluzive, të jenë përjashtuese dhe të njëanshme”, ka theksuar Krasniqi.
Tutje menaxheri i Menaxher Publikimit ‘Kosova – Trashëgimia e kujtesës’ ka thënë se ky publikim është më shumë dokumentim fotografik i cili përmban përshkrime të shkurtra dhe nuk futet në detajet e historive të këtyre objekteve. Sipas tij ku libër ka rreth 100 monumente që fokusohen në narrativat që vijnë nga sundimi osman, monumente të periudhës mesjetare, të luftës së dytë botërore, periudhës socialiste si dhe periudha e viteve të 90-ta.
Ai ka shtuar se tek të gjitha nacionalitetet në Kosovë ekziston vetëdija për ruajtjen e trashëgimisë kulturore pavarësisht se politika përpiqet ta ndajë atë sipas nacionaliteteve. Sipas tij nuk duhet të konsiderohet problematike nëse thuhet se disa objekte janë vetëm serbe ose vetëm shqiptare.
“Ekziston një vetëdije kolektive e të gjithë popujve në Kosovë për ruajtjen e trashëgimisë kulturore dhe monumenteve, dhe politika po përpiqet ta ndajë atë trashëgimi sipas kombësisë, në atë serbe dhe shqiptare. Njerëzit duhet të hulumtojnë në atë temë, dhe jo vetëm të flasin për politikë dhe ndarje “, ka thënë Korab Krasniqi.
Durim Abdullah profesor Fakulteti Filozofik në Prishtinë ka potencuar se Kosova është një vend ku kanë jetuar dhe jetojnë edhe sot popuj të ndryshëm, të cilët shikojnë në mënyrë të barabartë trashëgiminë kulturore, monumentet, kishat dhe xhamitë.
“Politikanët nuk kanë emocione rreth trashëgimisë kulturore në Kosovë. Objektet e kultit janë zona ku jetonin serbët dhe shqiptarët, dhe të njëjtët njerëz ende shkojnë dhe i vizitojnë ato ambiente. Kjo është arsyeja pse duhet të jetë një trashëgimi e përbashkët dhe të gjithë duhet të kenë qasje në to”, tha Abdullahu.
Kur u pyetën nga moderatorja e debatit, gazetarja Antonela Rihe, nëse momentet e unitetit në Kosovë janë të mundshme sot përkundër tensioneve në rritje, pjesëmarrësit arritën në përfundimin se politika është e përqendruar në politikën e identitetit dhe ndarjes, por që këto nuk janë procese në lidhje me kulturën dhe hapësirat e njerëzve që jetojnë atje.
I pyetur nëse ata janë të vetëdijshëm që kishat dhe manastiret në Kosovë shihen si trashëgimi e Kishës Ortodokse Serbe dhe se ajo nuk i përket Kosovës, Korab Krasniqi tha se interpretimet janë të ndryshme dhe se ato hapin rrugën për bisedime në lidhje me trashëgiminë kulturore.
“Për sa kohë që ekzistojnë dy narrative të kundërta, është e vështirë të gjesh tokën e mesme. Hapi i parë duhet të jetë që shoqëritë tona të fillojnë një dialog, të përqendrohen në kërkime dhe jo në ndarjet politike”, pohoi ai.
Duke folur rreth asaj nëse kishat dhe monumentet serbe në Kosovë ruhen në të njëjtën mënyrë, si dhe ndërtesat e tjera dhe cilat janë përparësitë, profesori universitar Durim Abdullahi tha se nuk ka tendenca të njerëzve nga Kosova për të shkatërruar diçka dhe se trashëgimia bëhet subjekt i politikës.
Dita e dytë e festivalit ‘Mirëdita, dobar dan’ filloi me diskutimin ‘Kosova – trashëgimia e kujtesës’, dhe ekspozitës me fotografi më po të njëjtin emër që synon të kontribuoj në temën e trashëgimisë kulturore në Kosovë. Ekspozita ishte e bazuar në fotografitë e Korab Krasniqit, menaxher i projekteve në organizatën forum ZFD, që u publikuan fillimisht si pjesë e botimit të vitit 2017 “Trashëgimia e Kujtesës në Kosovë”.
Në ambientet e qendrës Endžio ishin të varura 26 fotografi, të shkëputura nga publikimi ‘Trashëgimia e Kujtesës në Kosovë’, që shpërfaqnin 26 vende të kujtesës, tyrbe, teqe, xhami, kisha, manastire, sahat kulla e komplekse memoriale.
Në fjalimin hyrës të kësaj ekspozite Natasa Govedarica përfaqësuese e forumit ZFD në Serbi tha se ajo se kjo ekspozitë tregon një pjesë të trashëgimisë të përbashkët kulturore e njerëzore të kësaj bote.
“Kjo çka shohim këtu të ekspozuar janë pjesë e trashëgimisë kulturore njerëzore, pjesë e trashëgimisë të përbashkët të tërë species njerëzore të kësaj bote. Gjërat që mund ti shihni në këto imazhe përfshijnë momente të mesjetës e deri tek ato që e shënojnë luftën nacional çlirimtare, pra një trashëgimi prej së cilës asesi nuk guxojmë të ndihemi keq dhe turpërohemi por përkundrazi duhet të jemi krenar për rezistencën luftën e bërë nga kombet dhe kombësitë e hapësirës tonë”, deklaroi Govedarica.
Ndërkaq për autorin e projektit ‘Kosova – Trashëgimi e Kujtesës’ dhe të ekspozitës së natës së dytë të ‘Mirëdita, dobar dan’, projekti që ndodhej përballë syrit të publikut ka pasur për qëllim hulumtin dhe centralizimin e peizazheve të vendeve të kujtesës në Kosovë.
“Projekti me të cilin kemi ardhë si reagim ka qenë trashëgëmi që ka pas për qëllim hulumtimin dhe centralizimin e peizazheve të përgjithshme të vendeve të kujtesës në Kosovë duke ofruar informacione të cilat në disa raste mungojnë”, ka thënë Krasniqi.
Për Korab Krasniqin puna e bërë për këtë projekt ka shënuar edhe njoftimin më intim të mundshëm me historinë e vendit të tij por edhe vendeve të tjera.
Ndërkaq Budimir Ivanisevic i cili ishte i pranishëm në ekspozitën ‘Kosova – trashëgimia e kujtesës”, e konsideron të rëndësishëm faktin që qytetarët e Beogradit kanë mundësi që të shohin këtë ekspozitë dhe të njoftohen me të kaluarën.
“Jam shumë i kënaqur me atë se ka kam parë këtu, unë kam një prapavijë jetësore që ka një lidhje me temën që paraqitet këtu sepse unë punoja për një OJQ në Beograd që trajtonte të njëjtat probleme. Unë mendoj që është shumë e rëndësishme që qytetarët e Beogradit kanë mundësinë që të shohin këtë ekspozitë sepse mendoj që kjo është një përpjekje që na ndihmon që ta kapërcejmë të kaluarën. unë shpresoj që kjo ekspozitë do të na ndihmoj që ta kapërcejmë të kallurën që ka qenë mjaft tragjike për të dyja palët”, ka thënë Ivanisevic. / KultPlus.com