24 Shkurt, 2020 - 1:59 pm
Lyente taket e këpucëve të saj çdo ditë me ngjyra të ndryshme, ndërsa sot gëzon sukses ndërkombëtar në botën e modës.
Syri i Elife Arifit, si duket që nga mosha e re kishte nuhatur materialin, dhe aty për aty kishte arritur të vizatojë një dizajn specifik për të. E sot, ka edhe brendin e saj të veshjeve të titulluar “EL Creations” që arriti për një kohë shumë të shkurtër të njihet edhe ndërkombëtarisht, shkruan KultPlus.
Elife Arifi, kreatore e rrobave tashmë që dy vite, është ideatore dhe pronare e brendit vendor të veshjeve “El Creations” në Gjilan – titull që ia kishte vënë për shkak se nuk përmban vetëm rroba, por gjithçka që rrjedh prej materialeve të ndryshme.
Duke qenë që edhe shkollën e mesme të artit e ka përfunduar në Gjilan, dhe është e diplomuar në Akademinë e Arteve në UP , ajo asnjëherë nuk ishte shkëputur nga moda.
Elife Arifi rrëfen për KultPlus fëmijërinë e saj dhe dëshirat që i kishin rrjedhur qysh si e re për dizajnin dhe artin në përgjithësi.
“Si fëmijë gjithmonë kam eksperimentuar me rroba, me këpucë dhe materiale të ndryshme. Më kujtohet, qysh e re ndërroja ngjyrën e këpucëve. Zakonisht më pëlqenin takat, me ato eksperimentoja duke i lyer me ngjyra të ndryshme. I bëja të dukeshin tërësisht si këpucë të reja. Edhe si fëmijë kam mbajtur me vete gjithmonë një fletore, në të cilën e vizatoja gjithmonë një vajzë të njëjtë, por me rroba ndryshe. Aty arrija ta shpreh gjithë kreativitetin që e kisha”.
Arifi tregon gjithashtu se nuk e kishte pasur edhe shumë të lehtë që ta niste brendin e saj. Kishte filluar me shërbime online, fillimisht te familjarët, pastaj duke i plasuar në rrjete sociale, si Facebook dhe Instagram, kishte arritur të depërtojë edhe në një masë tjetër. Ajo çfarë i kishte ndihmuar shumë kishte qenë kursi që e kishte ndjekur, pasi aty ishte vlerësuar puna e saj. Nga aty ajo kishte marrë vullnetin për të vazhduar punën deri të nisja e brendit.
“Në fund të vitit të katërt në fakultet fillova të merrem më shumë me skica. Aty e testoja veten, fillova ta mësoja pak a shumë zanatin e punës, dhe merresha edhe me detaje. Fillova edhe një kurs mode. Më kujtohet si sot kur e dërgova një dizajn të një palltoje tek mësuesja e modës, dhe Flutura Dedinjës i pëlqeu shumë. Nga ai vullnet që mu dha, fillova të merresha fillimisht me pallto. Një muaj qëndrova në atelie duke dizajnuar pallto të ndryshme. Kur fillova t’i publikoja nisi edhe reagimi i të tjerëve”.
Nga këtu lindi edhe dëshira që ajo të niste brendin e saj dhe në shtatorin e vitit 2018 ajo hapi brendin e saj “EL Creations” në Gjilan.
Duke i parë kreacionet e saj, ngjasojnë shumë në të përditshmen, por disa detaje thyejnë ato nuanca dhe bëjnë që ato të duken më të veçanta. Edhe qëllimi i kreatores është që ta vë në pah të zakonshmen, por duke e futur gjithmonë një element më tërheqës dhe më të dukshëm. Kombinimi i disa materialeve dhe ngjyrave në një veshje është ajo çfarë e veçon kreatoren.
“Mundona të përditshmen ta sjell me një ekstravagancë minimale, që secilën veshje te përditshme , ta bëjë të duket më unike. Kam dëshirë shumicën e materialeve t’i përziej në një vend. Kombinimi i materialeve është diçka që e adhuroj. Varësisht prej modelit i kombinoj edhe ngjyrat. Ndërsa koleksionet që i bëj zakonisht përshtatem me një ngjyrë. Për shembull kur në një kreacion e përdori të kaltërten, atëherë i kombinoj të gjitha nuancat e kësaj ngjyre në një veshje.”
Duke qenë që shumica e kreatorëve bëjnë fillimisht skicën e pastaj hynë në procesin e punës me material, tek Elifja nuk ndodhë e njëjta gjë. Ajo në shumicën e rasteve nuk vizaton skicën, por shkon drejt e në material. Aty arrin ta bëjë ndryshimin
“Gjatë procesit të punës më së shumti eksperimentoj. Në skica nuk bëj eksperimente. Pra, me material unë arrij të manipuloj. E veçanta ime është që shkoj drejt e në material, vetëm përmes prekjes arrij ta dalloj a mund të dalë mirë. E mendoj çfarë mund të nxjerrë nga ajo. Kam filluar vetë, zakonisht edhe rrobat kur i kam blerë, i kam ndryshuar, kam eksperimentuar, i kam bërë në mënyrën time, edhe tash bazën më të fortë e kam te materiali në kukëll, sesa në skica.”
E pas lansimit të brendit “El Creations”, palltot e dizajnuara morën vëmendje nga galeria e modës e quajtur “Medium Gallery” me bazë në Florida, SHBA. E kontaktuar nga ata, Arifi bëri marrëveshje në lidhje me kreacionet e saj. Ajo rrëfen më shumë se si arriti deri te kjo marrëveshje dhe se a pati sukses deri më tani.
“Pas koleksionit të palltove më kontaktoi fotografia zyrtare nga Medium Gallery, një agjencion i Amerikës, nga Florida, përmes Facebook-ut. Ata më ftuan për një kohë të caktuar atje, të shkoj të punoj, por duke qenë se kam qenë tejet e angazhuar me punë, dhe për shkak të kërkesave aq të shumta këtu, nuk kam arritur ta pranoj në atë formë, por ne e bëmë një marrëveshje tjetër. Unë kreacionet i qep dhe dizajnoj këtu e pastaj përmes postës i dërgoj atje. Fatmirësisht gjithçka po funksionin si duhet.”
Arifi tregon që përpos marrëveshjes në Floridë, kërkesat janë të shumta edhe nga Evropa dhe shpreson që mos të ndalen me kaq. Duke qenë që brendi i saj nuk përfshin vetëm veshje, si dhe nuk ka kufizime qoftë për vajza, meshkuj, të rritur apo fëmijë edhe çmimet janë të përballueshme, ambiciet e saj nuk ndalen këtu.
Këtë brend, Elife Arife synon ta bëjë edhe fabrikë, e cila do t’i përfshinte të gjitha kreacionet e saj të veçanta, e gjer më tash e ndjen veten me fat që ka arritur deri këtu. Kjo bën që ajo të punojë më shumë dhe t’i jap vetes më shumë vullnet që të bëjë hapa drejt suksesit më të madh. / KultPlus.com