16 Shkurt, 2024 - 1:26 pm
Si në Venecia, qytetin e famshëm italian, kjo është ndjesia që të përcjellë vizita në punishten e prodhimit të maskave veneciane në Shkodër.
Për sipërmarrësin Edmond Angoni, maskat “Made in Albania” janë nga më të veçantat në të gjithë botën.
“Janë të veçanta sepse të gjitha janë punë dore, janë objekte që ti e vendos sot, por më pas mund ta mbash në shtëpi si aksesor. E trajtojmë jo thjeshtë si maskë, por si vepër arti. Mbulojmë kryesisht tregun Venecian ku kemi dhe njësitë tona të tregtimit të maskave, dyqanet, por jo vetëm këtu duke shkuar kudo në botë”, shprehet Angoni.
Krijimi i një maske të tillë kërkon kohën e vet.
“Për të pasur një maskë varet nga madhësia, tipologjia e saj pasi një maskë kalon të paktën në 10 deri 12 duar punë. Më e thjeshta do të paktën tri ditë ndërsa e komplikuara shkon deri në tri javë”, shton ai.
Kjo punishte përbën edhe një nga atraksionet turistike të qytetit.
Maskat e shumëllojshme janë të pranishme jo vetëm në Shkodër e Venecie, por në disa nga vendet më të rëndësishme të botës.