Kristaq Sotiri, fotografi që dokumentoi Korçën e viteve ’20

28 Dhjetor, 2022 - 1:11 pm

Në vazhdën e promovimit të figurave emblematike të qytetit të Korçës, prefekti i qarkut, Nertil Jole, ka përkujtuar një nga të parët shqiptarë që kultivoi profesionin e fotografit duke e kthyer atë në art, Kristaq Sotirin.

Falë punës së tij të madhe, Korça e fillim shekullit të 20-të, vjen e dokumentuar deri në ditët tona.

Prefekti Jole ishte personalisht në shtëpinë e Kristaq Sotirit, ku ka parë nga afër një arkiv mbresëlënës fotosh të ruajtura me kujdes e fanatizëm nga mbesa e tij, Kristina Pecani. Ëndrra e pasardhësve të fotografit të shquar korçar, është jetësimi i veprës së Kristaq Sotirit në një mjedis të merituar muzeal, që do iu dhuronte atyre krenari, por edhe Korçës e gjithë Shqipërisë.

Prefekti i qarkut Korçë i është bashkuar idesë së mbesës së fotograf Sotirit duke u angazhuar që të bëjë të gjitha përpjekjet në rrugë institucionale si mbështetje në realizimin e një projekti, që do t’i ofronte publikut një vlerë pak të njohur deri tani.

Artisti i Popullit, fotograf Sotiri lindi në fshatin Mborje, në 1883 dhe vdiq në Korçë, në 1970-ën. Që në moshë të re Kristaq Sotiri filloi të marrë mësimet e para të fotografisë nga kunati i tij, patrioti Kristo Sulidhi. Në vitin 1900 emigroi në SHBA ku u paraqit tek fotografi dhe mjeshtri i fotografisë George Steckel dhe arriti edhe të hapte në Nju Jork, studion e tij vetjake.

Në vitin 1923 çeli studion e tij “Studio Sotiri”, në qytetin e Korçës e cila shumë shpejt u bë e njohur dhe e dashur për popullin korçar. Punët e tij janë portrete të shumë personaliteteve të njohura, por edhe të njerëzve të thjeshtë, çifte bashkëshortësh, familje, momente nga ngjarje artistike e sportive, peizazhe të ndryshme të fiksuara me aparat në rrugët karakteristike të Korçës, nga Voskopoja, Dardha, Pogradeci, etj.

Kristaq Sotiri ka lënë një pasuri shumë të madhe prej 13726 negativë filmi dhe rreth 1500 foto ku pasqyrohet Korça nga viti 1922-1963, Pogradeci dhe fshatrat përreth, foto të cilat janë në gjendje shumë të mirë në koleksionin privat të familjes se tij./ atsh / KultPlus.com

Të ngjajshme