3 Prill, 2024 - 12:49 pm
Piktori i njohur Ali Oseku, një prej artistëve më emblematik të artit shqiptar në 50 vitet e fundit, u nda sot nga jeta pas një sëmundje të rëndë.
Për ndarjen nga jeta të artistit Oseka, ka shprehur ngushëllimet e tij edhe kryeministri Albin Kurti.
Kurti ka thënë se Ali Oseku ishte artisti që e mbuloi jetën e vet me ngjyra dhe përkundër faktit se atij për një kohë iu ndalua ushtrimi i artit, talenti i tij nuk mund të dënohej me vdekje.
Ky është postimi i plotë i kryeministrit:
Sot, në orët e hershme të mëngjesit, u nda nga jeta Ali Oseku, artisti që e mbuloi jetën e vet me ngjyra.
Ali Oseku, në fillesë të karrierës punoi si skenograf. Për skenografinë e operas Aida të Verdit u dënua dhe u dërgua të pësonte për disa vite vuajtjet në burgun e Spaçit. Në vijim atij iu ndalua ushtrimi i artit, por natyrisht talenti nuk mund të dënohet me vdekje.
Baca Ali, kështu njihej prej miqve të Tiranës, të cilët ndjenin se prekja dhe guximi i tij në art vinin prej origjinës së pashlyeshme gjakovare, lindi në Tiranë dhe që aty u dashurua me historinë e artistëve të njerëzimit, ndaj ngjante se çdo tablo ia kushtonte romaneve dhe qyteteve të botës. Ngjante se çdo artist në mendjen e tij ishte një flijues i madh i talentit të vet për bukurinë. Kjo shpjegonte pse baca Ali ishte më së pari profesori i entuziazmit dhe motivues i madh për studentët e tij.
Ngushëllimet e mia familjes, kolegëve të tij artistë, studentëve të tij në breza. Kujtim i paharruar për artin e tij! / KultPlus.com