14 Gusht, 2021 - 10:41 pm
I shoqëruar nga ministri Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, vizitoi tre ekspozita të bienales ndërkombëtare të artit bashkëkohor, Autostrada Biennale.
Ata fillimisht vizituan Hapësirën e Edukimit dhe Prodhimit të Autostradës Biennale në Parkun e Inovacionit dhe Trajnimeve (ITP) në Prizren, ku u njoftuan mbi ekspozitën dhe programin e edukimit që kjo biennale po zhvillon. E ndodhur në hangarin e dikurshëm të KFOR-it gjerman, transformuar tashmë në një hapësirë inovacioni, ajo ka për qëllim fuqizimin e të rinjve të Kosovës përmes edukimit, trajnimeve dhe punëtorive në fushën e artit, teknologjisë dhe inovacionit.
Nga aty, kryeministri Kurti dhe ministri Çeku vazhduan për në Stacionin e Autobusëve në Prizren kur po shfaqen ekspozitat e katër artistëve të artit bashkëkohor. Stacioni i Autobusëve këtë vit po mirëpret ekspozitat e Autostradës Biennale për të tretën herë radhazi.
Në fund, ata vizituan ekspozitën e artistëve Sezgin Boynik dhe Tevfik Rada e cila po mbahet në Shtëpinë e Shani Efendiut.
“Se arti nuk është vetëm e bukura, por edhe mësimi dhe puna, po na e dëshmon edhe ky edicion i Autostrada Biennale”, u shpreh kryeministri Kurti. Ai i falënderoi organizatorët dhe kuratorën për prezantimin e tyre. Meqë arti dhe veprat e artit duhet të jenë të atilla që sa më shumë njerëz t’i shohin sa më shpesh, kryeministri uroi që gjithnjë e më shumë qytetarë të bëhen vizitorë të këtyre ekspozitave.
Autostrada Biennale është i vetmi institucion i artit bashkëkohor në Prizren dhe është themeluar në vitin 2014.