17 Maj, 2022 - 4:16 pm
Kryetari i Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni, ka pritur sot në takim ministrin e Kulturës, Rinisë e Sportit, Hajrulla Çeku, ndërkaq paraprakisht kanë parë ekspozitën me fotografi të masakrës së Llashticës, sikurse edhe ekspozitën Postmortum të heroit Agim Ramadani.
Kryetari Hyseni, pasi e falënderoi ministrin Çeku për vizitën, tha se aspekti i veçantë i këtyre ekspozitave është se luftëtarin e lirisë dhe dëshmorin e kombit e njohim edhe nga një perspektivë tjetër, atë të artit.
“Llashtica është njëra prej fshatrave që ka pësuar më së shumti në luftën e fundit në Anamoravë, ku kemi marrë si informacione e material nga hetuesit kanadezë mbi 600 fotografi, raportin e mjekësisë ligjore e materiale të ndryshme, të cilat nuk janë publikuar asnjëherë më parë. Edhe në ekspozitën e heroit Agim Ramadani kemi parë disa skica që nuk janë publikuar asnjëherë më herët e që janë vepra të realizuara nga dora e tij”, ka thënë kryetari Hyseni.
Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, vizitën e sotme e ka cilësuar si vizitë në qytetin e artit, duke thënë se jeta kulturore po dinamizohet gjithnjë e më shumë.
“E falënderoj kryetarin për pritjen dhe për punën e madhe që po e bëjnë për ta fuqizuar komunitetin artistik në Gjilan, por edhe për t’i dhënë një frymë tjetër organizimit kulturor. Ekspozita për masakrën e Llashticës është një ekspozitë që ka vlerë përtej asaj artistike. Është angazhim yni i përbashkët i institucioneve të Kosovës, që të mbledhim sa më shumë dëshmi dhe t’i dërgojmë aty ku duhet për ta treguar të vërtetën rreth luftës, e cila nga Serbia synohet të shtrembërohet”, ka thënë Ministri Çeku.
“Ishim edhe në ekspozitën e njërit nga luftëtarët me epik të UÇK-së, Agim Ramadani, i cili sa ishte epik ishte edhe lirik dhe pjesa lirike e tij, ajo e poezisë, shkrimit, grafikës e pikturës, është më pak e njohur dhe ne besojmë që personaliteti i Agimit nuk mund të interpretohet vetëm në mënyrë një dimensionale, vetëm me shkathtësinë dhe heroizmit në luftë, por edhe me gjithë këtë krijimtari të jashtëzakonshme që ka lënë pas”, ka shtuar ai.
Ministri Çeku theksoi se kanë projekte në kulturë, sport e fusha të tjera, të cilat janë duke i zhvilluar bashkë me kryetarin Hyseni. / KultPlus.com