30 Korrik, 2020 - 3:58 pm
Pamja e një kartoline ka ndihmuar në gjetjen e zonës së mundshme ku Vincent van Gogh pikturoi kryeveprën e tij të fundit, thonë ekspertët e artit. Zbulimi është bërë nga Wouter van der Veen, drejtor shkencor i institutit Van Gogh.
Sipas tij kartolina që i përket periudhës 1900-1910 ka ngjashmëri të shumta me “Rrënjët e pemëve”, piktura e famshme e Van Gogh-ut. Kartolina tregon pamjet e disa pemëve mbi një kodrinë në Auvers-sur-Oise në Francë. Kjo zonë është vetëm 150 metra larg nga Auberge Ravoux, bujtina ku Van Gogh qëndroi për 70 ditë para se të vetëvritej në 1890-ën.
Ka pasur debate të shumta se cila ka qenë vepra e fundit e realizuar nga piktori. Në një letër Andries Bonger, kunati i Theo van Gogh, përshkruan se si artisti pikturoi pamje nga një pyll plot diell dhe jetë, mëngjesin para se të vdiste.
Të dhënat e kësaj letre janë përdorur për të mbështetur pretendimet se “Rrënjët e pemëve” është vepra e fundit e realizuar nga Van Gogh. Bazuar në teorinë e tij që lindi prej kartolinës, Van der Veen mendon se Van Gogh ka qenë duke punuar mbi këtë pikturë deri në orët e fundit të jetës së tij. / KultPlus.com