15 Janar, 2025 - 4:00 pm
Mjeshtri i Madh i artit shqiptar, piktori Ksenofon Dilo, ka sot ditëlindjen. Me këtë rast ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja, kujtoi mjeshtrin, përmes një postimi në rrjetet sociale, duke e uruar por edhe falënderuar për punën e tij të madhe.
“Për më shumë se 7 dekada piktor, i njohur dhe si kubisti shqiptar, i shquar për skenografinë e Festivalit Folklorik Kombëtar të Gjirokastrës dhe filmit “Fortuna” si dhe ilustrues i disa veprave të Kadaresë, ky mjeshtër ka dhënë një kontribut të madh për artin shqiptar”, shkroi ministri Gonxhja.
Ksenofon Dilo lindi në Topovë të Gjirokastrës, më 15 janar 1932. Ai ka realizuar një karrierë të gjatë artistike dhe një krijimtari të bollshme si piktor, kostumograf, studiues, skenarist filmash etj. Në vitin 1969 u vlerësua me titullin “Piktor i Merituar”.
Ksenofon Dilo njihet si “kubisti shqiptar” për shkak se peizazhet e tij shpesh kishin forma gjeometrike. Ndodhte që punët e tij të mos pranoheshin në ekspozita, pikërisht për këtë tendencë./ KultPlus.com