24 Maj, 2019 - 9:51 am
Do t’ju them tani disa fjalë për piktorin Edgar Degas, që e kam njohur mirë e që zë vend krejt natyrshëm pranë Huysmans-it dhe Mallarmé-së. Ju e njihni veprën e Degas-it; sot ajo ndodhet nëpër muze. Ky njeri ishte personaliteti më i palëkundur, më i gjallë, shpeshherë më i parehatshëm; njeri i mendjes dhe i një inteligjence të rrallë.
Kur e njoha unë, Degas jetonte në një shtëpi në rrugën Victor-Massé, sot e shkatërruar, ku ai kishte zënë tre kate. Në të parin ishte muzeu i tij vetjak. Kishte grumbulluar atje vepra të piktorëve që adhuronte. Kishte disa piktura shumë të bukura nga Delacroix, Corot, Ingres etj. Sipër, ishte apartamenti i tij, një nga apartamentet më të pluhurta që kam parë në jetën time. Kishte vetëm pluhur dhe mrekulli; skicat e tij të preferuara mbulonin muret. Në katin e tretë ishte atelieja. Atje gjendeshin vaska e banjos, legeni dhe sfungjerët që i kanë shërbyer aq shpesh si modele e që paraqiten në një numër të madh të kompozimeve të tij.
Por, nuk dua t’ju flas për Degas-në piktor dhe kritik të admirueshëm. Do flas për një Degas më pak të njohur, për Degas-në njeri të letrave dhe poet. Kishte brenda tij një shkrimtar latent e, para së gjithash, një njeri të mendjes, fjalët e të cilit janë aq të njohura saqë unë s’do t’i përsërit aspak përpara jush. Kishte gjithashtu një Degas poet, një Degas që u përket këtyre kujtimeve letrare që po ju tregojmë sot.
Nuk do flas për të si për një poet amator. Degas-i, mendje e përpiktë, nuk mund të duronte të mbetej në stadin larvor të amatorit. Ai kishte një kureshtje të drejtpërdrejtë e të pafundme për gjithçka që përbën zejen, do thoshim sot teknikën, në arte. Ai bënte, pra, vargje me ndjesinë e një zanati që nuk e zotëronte; nga ana tjetër, i bënte këto vargje me mundimin më të madh, sepse kush bën vargje pa mundim nuk bën aspak vargje. Kur e kapte shqetësimi, kur muza i mungonte artistit apo artisti muzës, ai merrte këshilla, shkonte të ankohej pranë njerëzve të artit. Rendte sa te Heredia, sa te Stéphane Mallarmé-ja; u shprehte këtyre mjerimet, dëshirat, pamundësitë e tij, thoshte:
“Kam gjithë ditën që punoj për këtë dreq soneti. Më iku një ditë e tërë, larg pikturës, duke bërë vargje dhe nuk arrij dot aty ku dua. Më ka zënë koka.”
Një herë që po i mbante këtë fjalim Mallarmé-së, përfundoi duke i thënë:
“Nuk e shpjegoj dot përse nuk arrij të mbaroj poezinë time të vogël, sepse, tek e fundit, kam plot ide.”
Dhe Mallarmé-ja iu përgjigj:
“Poezitë nuk bëhen me ide, Degas, por me fjalë.”
Ka në këtë frazë një mësim të madh.
Nga: Paul Valery
Përkthyer nga: Alket Çani /KultPlus.com