30 Prill, 2019 - 5:55 pm
Kujtimet e të pagjeturve të Kosovës janë ato që kanë kufizuar goxha një pjesë të hapësirës në Kongresin Amerikan.
Në këtë hapësirë në Komitetin për Punë të Jashtme në Kongresin Amerikan, Vasfije Krasniqi Goodman sapo ka dëshmuar historinë e saj të dhunimit nga policë serbë gjatë luftës, kur ajo ishte 16-vjecare, shkruan KultPlus.
Pamjet e familjarve të të pagjeturve të kufizuara në fotografitë bardh dhe zi tashmë kanë zënë vend në Kongresin Amerikan në Washington.
Ekspozita “Të jetosh me kujtimet e të pagjeturve” gjatë muajve të kaluar ka dëshmuar efektin e saj në shumë evente ndërsa ka zënë vend në hollin e Kuvendit të Kosovës gjatë muajit shkurt, në shënim të 11 vjetorit të Pavarisë së Kosovës, KultPlus.
Kjo ekspozitë e realizuar me foto të fotografit Atdhe Mulla dhe kuruar nga Eliza Hoxha, ndërtohet në baza të një hulumtimi të thukët, historive gojore dhe fotografive të realizuara me familjarë të personave të pagjetur.
Ekspozita ka në fokus 1653 persona të cilët akoma figurojnë të pagjetur në Kosovë që nga lufta e fundit.
Ekspozita do të hapet edhe nesër në National Press Club.
Ekspozita organizohet nga Integra në bashkëpunim me Qendrën Burimore për Persona të Zhdukur, me Kuvendin e Kosovës, Zyrën Zvicerane për Bashkëpunim në Kosovë dhe Fondacionin “Rockefeller Brothers”./KultPlus.com