15 Shkurt, 2019 - 10:16 pm
Gili Hoxhaj
1653 çelësa rrinë të varur në korridorin që çon tek holli i Kuvendit të Kosovës. Kjo vjen si portretizim i asaj që çështja e të pagjeturve në Kosovë akoma rri pezull. Pamjet e ngjitura në murin e gjatë dëshmojnë se tash e dy dekada, familjarët e të pagjeturve nuk kanë gjetur as edhe një çelës për të mbyllur plagët për ata që nuk u kthyen më kurrë. Çdo trokitje në derën e tyre ngjallë pak shpresë, po kur dita mbyllet pa as edhe një lajm, nata mbulohet veç nën ankth.
Fotografitë e Atdhe Mullës të dërgojnë në përditshmerinë e këtyre familjeve, shikimi i të cilëve është gjithnjë përtej shtëpisë. Duket sikur më nuk dijnë as kah t’i orientojnë pritjet. Familjarëve, krejt çka u ka mbetur prej të zhdukurve nga lufta, janë fotografitë, por Fatime Çerkini ka të vështirë ta kujtoj fëmijërinë e të birit, Reshatit pasi që flaka e luftës ia ka djegur edhe fotografitë. Në të gjitha fotografitë e ekspozitës, sytë e saj qëndrojnë gati se të mbyllur, ndërsa duart i ka të shtrënguara pranë gjoksit. Trishtimi saj, i cili është lehtë i lexueshëm në fotografi, nuk i është shkoqur as sot teksa ecën përgjatë korridorit ku qëndron ekspozita. Në këtë hapësirë, fjalët e fundit që ia ka thënë i biri, tashmë janë të vendosura me shkronja të mëdha me ngjyrë të bardhë, që bëhen fort të theksueshme në murin e errët.
“Do të shkoj atje ku po shkojnë të gjithë të rinjtë, edhe nëse duhet të vdes, siç po vdesin të tjerët”, janë fjalët e fundit që Fatime Çerkini kujton nga ai, e që sonte erdhën pranë syve të shumë vizitorëve që erdhën për të parë ekspozitën. “Sikur ta dija që ai nuk do të kthehet më, do ta kisha përcjell bile deri në fund të shkallëve”, kishte thënë Çerkini, ndërsa thotë se i duket që ende çdo ditë e dëgjon zërin e tij se si e thërriste.
Fotografitë e Atdhe Mullës vijnë në dy ngjyra, bardh dhe zi. Përmes tyre vizitorët e ekspozitës mund të futen brenda mureve të çdo shtëpie, brenda emocioneve të familjarëve të të pagjeturve. Shpesh ata janë të vendosur pranë derës e duken sikur janë shtangur në pragun e pritjes.
“Që t’i japim një jetë e simbolikë numrat që përmendet, kam pasur qejf që në mënyrë metaforike të vendosim nga një qelës për secilin emër apo person që është i zhdukur, pasi në shumë rrëfime e gjen fjalinë që sa herë që trokite në derë nënat shqetësohen duke thënë mos u kthye. Qelësi në kuptim metaforik është edhe për çdo zemër që është në pritje me emocion peng që ta mbyll këtë çështje duke marrë përgjigje”, shpjegoi kuratorja e ekspozitës Eliza Hoxha.
Me qëllimin parësor që t’u jepet zë familjarëve të personave të pagjetur dhe ky zë të dëgjohet fuqishëm tek palët relevante, Integra dhe forum ZFD, në bashkëpunim me Qendrën Burimore për Persona të Zhdukur dhe me Kuvendin e Kosovës, sollën sonte ekspozitën “Të jetosh me kujtimet e të pagjeturve”. Dy dekada pas luftës, çështja e 1653 të pagjeturve nga lufta në Kosovë ende nuk ka marrë përgjigje. Kjo ekspozitë e cila erdhi në shënimin e përvjetorit të 11-të të shpalljes së Pavarësisë së Republikës së Kosovës është vendosur në hapësirat e Kuvendit të Kosovës me qëllim që të dërgoj një mesazh nëpërmjet gërshetimit të punës hulumtuese, fotografisë dhe një koncepti kuratorial kreativ tek institucionet publike, politik-bërësit dhe tek akterët tjerë të fushës së Drejtësisë Tranzicionale drejtë zbardhjes së fatit të personave të pagjetur nga lufta e fundit në Kosovë.
Kryeparlamentari Kadri Veseli në fjalimin e tij tha se falë kësaj ekspozite, përmes artit vëmendja kthehet në një prej plagëve më të rënda të luftës, siç është çështja e të pagjeturve.
“Në shumë raste arti e shpreh brengën dhe dhimbjen më mirë sesa format tjera të shprehjes njerëzore. Ky instalacion na e dëshmon këtë”, u shpreh në fjalën e tij Veseli, ndërsa tha se Serbia është ajo që duhet të jap llogari për arsye se përgjegjësinë e mbanë të plotë për veprimet e veta ushtarake e joushtarake, që në tërësinë e vet kanë qenë të kontrolluara nga një mekanizëm i centralizuar dhe ai ka qenë shteti serb.
Korridori i Kuvendit të Kosovës ka qenë cak i ekspozitës, pasi që ai për kuratoren e ekspozitës Eliza Hoxhën e përshkruan më së miri rrugëtimin e gjatë dhe të zymtë të familjeve të të pagjeturve, të cilët janë në një rrugë që akoma s’ka një cak të qartë.
“Këtë material unë kam dashur ta formësoj e t’i jap jetë për ta sjellë për të tjerët në hapësirë publike. Jemi munduar që të gjitha dyert e zyrave t’i stimulojmë si të jenë dyert e shtëpive, ku kemi një familje e një rrëfim, dhe kanë ardhë si të tilla. Këto rrëfime nga brenda për herë të parë dalin jashtë në një rrugëtim publik”, tha Eliza Hoxha për KultPlus.
Drejtori i Integra-s Kushtrim Koliqi, tha se ekspozita duhet të jetë britmë që duhet të shkojë në veshët e atyre që marrin vendime brenda Kuvendit të Kosovës. Koliqi theksoi se për familjarët e të pagjeturve, lufta ende s’ka përfunduar.
“Kur kemi qenë duke e organizuar këtë ngjarje, kemi pasur komente të ndryshme, njëra prej tyre ka qenë: “Shumë mirë që po bëni zhurmë dhe shumë mirë që po bëni zhurmë në vendin ku duhet të bëhet zhurmë”. Ne po bëjmë zhurmë. Besoj që ekspozita nuk është vetëm zhurmë në këtë objekt të rendësishëm për vendimmarrje, por është bërtimë me shpresën që ehoja e kësaj bërtime do të shkoj në vesh e në zemrat e njerëzve që marrin vendime këtu. Nëse ne me datën 17 festojmë Pavarësinë, për ata lufta ende nuk ka përfunduar”, theksoi Kushtrim Koliqi.
Kurse Korab Krasniqi nga forum ZFD tha se në prag të festimit të 11-vjetorit të Pavarësisë e vlerëson faktin që Kuvendi i Kosovës i hapi dyert, duke u dhënë shpresë familjarëve të të pagjeturve.
“Duke u nisur nga principi dhe parimet e vendeve në drejtësi tranzicionale e të së drejtës ndërkombëtare, familjarët e të pagjeturve kanë të drejtë të dinë për fatin e më të dashurve të tyre”, tha Krasniqi.
Kryetari i Qendrës Burimore për Persona të Zhdukur, Bajram Çerkini, sot pranë të pranishmëve theksoi në të ardhmen do të jetë edhe më e vështirë të zbardhet fati i personave të të pagjeturve.
“Dhimta e atyre që na therrasin, hajde merrem babë, hajde merrem nanë… s’po shkon në vend ku duhet, vetëm te familjarët.. Po flas në emër të të gjithë atyre që vazhdimisht mendojnë se tash u vjen fëmija. Dëshira ime për hatër të të rinjve, për hatër të këtij vendi që nuk ka send që e paguan, duhet të them urime 11-vjetori i Pavarësisë së Kosovës”, u shpreh Çerkini në fjalën e tij.
Kjo ekspozitë do të qëndroj e hapur në hapësirat e Kuvendit të Republikës së Kosovës deri me datë 30 prill. Kjo iniciativë fuqizohet nga Integra, forumZFD në Kosovë, Qendra Burimore për Personat e Zhdukur, Kuvendi i Republikës së Kosovës, SwissCooperation Office Kosovo, RockefellerBrothersFund, dhe Ministria Federale për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik e Qeverisë Gjermane. / KultPlus.com