26 Qershor, 2022 - 3:12 pm
Përderisa institucionet shtetërore të Shqipërisë e Kosovës po rikthejnë hapësirat e burgjeve, qoftë për ndonjë projekt të caktuar, kujtesë kolektive apo si hapësirë arti, “Mrizi i Zanave” një gjë të tillë po e bën me vetiniciativë.
Një hapësirë që ishte përdorë për të burgosurit, tash e sa vite është shndërruar në kantinë te “Mrizi i Zanave”, ku brenda kësaj hapësire ka fuqi të mëdha të verërave, por që të në njëjtën kohë bëhet edhe degustimi i verërave që prodhohen nga Altin Prenga.
Dhe, përderisa kjo hapësirë vizitohet nga turistë vendorë e të huaj, në pasditen e së shtunës erdhi edhe me një ‘gjamë’.
“Gjama” ekspozita e Nagip Tashit po u uronte mirëseardhje artdashësve të pranishëm, ku si fillim ishte vendosë portreti-mozaik në dru i Gjergj Fishtës, portet që edhe i printe kësaj ekspozite që përfshinë figura të rëndësishme të historisë e kulturës shqiptare, e që nuk janë më në mesin tonë si: Gjergj Kastrioti, Gjergj Fishta, Ibrahim Rugova, Ibrahim Kodra, Bekim Fehmiu e shumë figura të tjera të rëndësishme të kombit shqiptar, por e veçanta e kësaj ekspozite që ka bashkuar Shqipërinë, Kosovën e Luginën e Preshevës, ishte se në mesin e portreteve ishte i vetmi portret i një figure të gjallë, e që është portreti i Fahrije Hotit, gruas së guximshme nga Krusha, e cila dhimbjen e ka shndërruar në guxim e forcë, për të krijuar biznes, për tu shndërruar në inspirim për regjisorë, e tash së fundi inspirim edhe për Nagip Tashin nga Tërrnoci, i cili edhe ishte shkak i bashkëpunimit mes KultPlus dhe Mrizit të Zanave.
Altin Prenga në cilësinë e nikoqirit të kësaj ekspozite ka falënderuar fillimisht të pranishmit nga Kosova e Lugina e Preshevës, i cili ka vlerësuar punën dhe angazhimin e Tashit për këtë projekt artistik, por që i njëjti ka falënderuar edhe kryeredaktoren e KultPlus, Ardianë Pajaziti, i cili ka thënë se Pajaziti asnjëherë nuk e ulë nivelin, dhe gjithnjë sjell vlera artistike, sikurse është ekspozita “Gjamë” e Nagip Tashit.
Ndërkohë, Ardianë Pajaziti ka potencuar në hapjen e kësaj ekspozite, se ekspozita e Nagip Tashit pas prezantimit në Prishtinë, në KultPlus Caffe Gallery, tashmë po numëron ekspozitën e dytë të radhës te Mrizi i Zanave në Shqipëri.
“Unë dhe Altin Prenga që një kohë kemi qenë në kërkim të një projekti të përbashkët që mund të organizohet nga të dy palët, dhe ekspozita e Nagip Tashit është gjetja më e mirë e këtij bashkëpunimi, duke pas parasysh veçantinë e punës së Tashit me këto mozaikë, por edhe përzgjedhjen e figurave të rëndësishme kombëtare e kulturore. Nuk do të kishte një projekt më të denjë që do të mund të niste këtë bashkëpunim mes KultPlus dhe Mrizit të Zanave”, ka thënë Pajaziti.
Kurse Fahrije Hoti është shprehë të jetë e privilegjuar që portreti i saj të gjendet në mesin e këtyre figurave kaq të rëndësishme shqiptare, por që në të njëjtën kohë është shprehë falënderuese që këtë sukses dhe këtë vlerësim po e përjeton duke qenë në mesin e të gjallëve, pasi që, sipas saj, është një fenomen i pranishëm, që në të shumtën e rasteve puna të vlerësohet pas vdekjes.
Kurse për fund, autori i ekspozitës duke falënderuar partneritetin e KultPlus dhe Mrizit të Zanave që edhe kanë iniciuar këtë ekspozitë, ai ka treguar se ndihet shumë mirë që në këtë ekspozitë është e pranishme edhe Fahrije Hoti.
“Unë kësaj radhe kam bërë një përjashtim, duke përfshirë një portret që është në mesin e të gjallëve. Kam pas dëshirë të inspirohem nga një person që e kemi në mesin tonë, dhe këtë inspirim e kam marr nga figura e Fahrije Hotit”, ka thënë Tashi.
Ekspozita “Gjamë” e Nagip Tashit do të qëndrojë e hapur për dhjetë ditë dhe përfshinë 17 portrete në mozaik, të cilat janë punuar me mbetje të drurit./ KultPlus.com