3 Nëntor, 2017 - 12:24 pm
“Guxoni artistë! Ministria e Kulturës është këtu për t’ju mbështetur për çdo ide tuajën. Rrezikuam për këtë eksperiment të parë të këtyre përmasave, sepse donim të vlerësonim skenën alternative tek Turbina, e cila në këtë Vox Machine është më shumë se funksionale ”- tha mes të tjerash Kumbaro. Në datën 1 nëntor 2017 në mjediset e pambaruara të Skenës së Re- Turbina u hap ekspozita e veçantë e artistit Sadik Spahija, me një pjesëmarrje të jashtëzakonshme të artistëve, artdashësve dhe kritikëve të artit.
Kjo ekspozitë mbështetet nga Ministria e Kulturës. Artisti, Sadik Spahija, tregon se ka disa vite që punon për këtë projekt. Materialet e përdorura prej tij për realizimin e veprës janë mbetje industriale të marra nga fabrikat e periudhës së diktaturës. Mesazhi i artistit lidhet me : “Me mënyrën sesi ne e ndërtojmë jetën tonë, sesi në periudha të caktuara sillemi karshi njëri-tjerit, sesi reagojmë karshi asaj që na rrethon, ndaj mjedisit. Ky vend ka qenë një laborator i rëndësishëm në disa muaj, ku së bashku me studentët kemi hulumtuar për të gjetur pikat e përbashkëta mes krijimit dhe ndërtimit”. “Vox Machine” është ideuar për këtë skenë nga artisti Sadik Spahija , kuruar nga Edi Muka në bashkëpunim me artistë të imazhit, lëvizjes, tingullit: Gjergj Prevazi, Hajg Zaharjan, Endri Sina, Ramazan Gurra, Akreoma Saliu, Robert Nuha, Fjorald Doci, Rosella Pellicciotti, Melissa Becovic.
“Një projekt i guximshëm, i cili mblodhi bashkë energjinë e krijimit dhe të ndërtimit, në këtë skenë të re, e cila vazhdon të njihet me emrin Turbina. Një ekspozitë e cila na mbledh në një skenë të pambaruar, por që artisti Sadik Spahija na konfimon se nuk kemi gabuar me këtë projekt ndërtimi”- u shpreh Ministrja e Kulturës, znj. Mirela Kumbaro në hapjen e ekspozitës Vox Machine. Një thirrje për artistët drejtoi edhe artisti Klod Dedja duke u shprehur “Shembni mure dhe krijoni”, drejtues i Fondacionit M.A.M, një nga organizatorët e kësaj ngjarjeje me përmasa të veçanta artistike në kryeqytet.Turbina ka nisur “jetën artistike” akoma në ndërtim e sipër. E nisi me Mediterranea 18 – Young Artists Biennale, ku artistët shqiptarë e ndërkombëtarë u dashuruan me format e vëllimet e skenës së Turbinës, vazhdoi me forumin Forum Rebirth Tirana / Love Difference – i Mediterranei në idenë e Cittadellarte-Fondazione Pistoletto dhe tani ky kantier hyn në një bashkëjetesë artistike me një koncept nga artisti Sadik Spahija titulluar “Vox Machine”. Ekspozita qëndron e hapur nga data 1-10 nëntor 2017./KultPlus.com