28 Shtator, 2019 - 12:30 pm
Fotografia nuk është vetëm art, nuk përcjell vetëm kulturë. Fotografia është histori. Pikërisht për këtë arsye, arti bashkohor kërkon herë pas here ndihmën e fotografisë së arkivuar, për të përçuar përmes saj, lidhjen mes kohëve dhe brezave, problematikave përkatëse po ashtu.
Në Shqipëri, historia e fotografisë zë fill me italianin Pietro Marubbi, i cili u vendos në qytetin e Shkodrës, gjysmën e dytë të shekullit të nëntëmbëdhjetë. Në vitin 1856, këtu ai çeli studion e parë të fotografisë.
Duke mos pasur fëmijë, ndihmësit e parë dhe vijuesit besnikë në fushën e fotografisë ishin fëmijët e kopshtarit të tij, Rrok Kodheli nga zona e Zadrimës. Dy djemtë, Mati dhe Kel Kodheli u dërguan në studion “Sebastianutti & Benque” në Trieste, për të mësuar mbi mjeshtërinë dhe sekretet e fotografisë. Me vdekjen e parakohshme të Mati Kodhelit, studioja u vazhdua nga Kel Kodheli, i cili trashëgoi edhe mbiemrin e Pietro Marubbit.
Më tej puna u vazhdua nga i biri i tij, Gegë Marubi, i cili studioi për fotografi dhe kinematografi në studion e vëllezërve Lumière, në Francë. Ajo çka vihet re në tre brezat e fotografëve është dëshira për të qenë bashkohorë me epokën, kontekstin dhe problematikat social-estetike dhe teknologjike të kohës.
Në Shkodër, ndërkohë u hapën edhe studio të tjera fotografësh, si “Dritëshkroja e Kolës” (1886), “Fotografija Pici” (1924), “Foto Jakova” (1932), “Foto Rraboshta” (1943).
Me vendosjen e komunizmit në Shqipëri, kur çdo aktivitet privat u ndalua me ligj, në pamundësinë për ta përdorur e promovuar punën e tij dhe të paraardhësve, Gegë Marubi detyrohet t’ia dhurojë shtetit arkivin e famijes. Gjesti i tij u ndoq edhe nga fotografët e tjerë të qytetit.
Nga fondi i tyre u themelua fototeka “Marubi”, si sektori i Muzeut Historik të qytetit deri në vitin 2003, kohë kur kaloi si institucion më vete.
Muzeu Kombëtar i Fotografisë ”Marubi” në Shkodër është një thesar që përfshin një arkiv prej mbi 500 000 negativash, që përshkruajnë familjet, qytetarët, ushtarë, politikanë dhe tregtarët lokalë në Shkodër, momentet e përditshmërisë dhe ngjarjet historike nga mesi i shekullit XIX deri në fund të shekullit XX.
Muzeu Kombëtar i Fotografisë “Marubi” ruan dhe promovon vlerat e një koleksioni fotografik që shtrihet nga gjysma e dytë e shekullit të nëntëmbëdhjetë e deri në fundin e shekullit njëzet, pjesë e të cilit janë Marubët e pasardhësit e tyre që kanë dokumentuar momente të rëndësishme të jetës shoqërore, kulturore, sportive e deri politike duke fiksuar kështu rrjedhën e pakthyeshme të kohës.
Ky muze është një prej trashëgimive më të rëndësishme të kulturës shqiptare, pasi ai dëshmon për më shumë se një shekull të historisë dhe hedh dritë mbi momente, njerëz dhe ngjarje të rëndësishme që shërbejnë si një pasaportë thelbësore për kulturën shqiptare./konica.al/ KultPlus.com